Rasti i 53-milionëshit, çfarë dëshmoi në Gjykatë ish-ministri i Qeverisë Haradinaj?
Në gjykimin për rastin e 53-milionëshit, rrëfimin e tij përmes video-linkut e ka dhënë ish-ministri i Qeverisë Haradinaj, Valdrin Lluka.
Në këtë rast të akuzuar janë janë ish-ministri Pal Lekaj, këshlltari i tij politik, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Ish-ministri Lluka është dëgjuar si dëshmitar në cilësinë e anëtarit të Komitetit Drejtues Ndërministror, i krijuar nga Ministria e Infrastrukturës në lidhje me ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.
Dëshmitari Lluka tha se ka qenë në dijeni për negociata që si temë diskutimi kishin zvogëlimin e dënimit apo shumës për vonesat për përfundimin e punimeve të kësaj autostrade.
“Kam qenë në dijeni për negociatat të zvogëlimit të dënimit apo shumës për vonesa, kemi qenë në dijeni, kemi inkuraju që me pasë negociata për me e zvogëlu vlerën që ishte përcaktuar”- tha Lluka.
Dëshmitari u përgjigj se nuk e di kush ka marrë pjesë në këto negociata për zvogëlim të dënimit.
Dëshmitari tha se kërkesa fillestare e kompanisë ndërtuese ka qenë 63 milionë euro, por pas negociatave është zvogëluar në 53 milionë euro.
Lluka ka thënë se si pjesëtar i KDNM ka votuar kërkesën e kompanisë ndërtuese që kjo kërkesë më pas të dërgohej për aprovim nga Qeveria e Kosovës, ku më pas Qeveria e Kosovës e kishte ekzekutuar pagesën prej 53 milionë euro në emër të zgjatjes së afatit të përfundimit të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.
Dëshmitari tha se si anëtarë të KDNM-së i ishin prezantuar disa informacione se pse ka ardhur kërkesa fillimisht për 63 milionë euro, e cila ishte paraqitur në tabela që ishin arsyetuar me shpenzimet dhe vonesat e shkaktuara nga zgjatja e afatit të punimeve, por sipas tij, pasi ishin zhvilluar negociatat ishte paraqitur një shumë më e vogël.
Tutje dëshmitari tha se për t’u siguruar se çdo gjë është duke shkuar sipas rregullit në KDNM ishte kërkuar edhe një mendim ligjor nga brenda MI për këtë çështje.
Dëshmitari ka thënë se nuk i kujtohet pasi ka kaluar një kohë e gjatë nësë i është dhënë në shikim marrëveshja e 6 qershorit 2018.
“Si ministri ekzistojnë me dhjetëra e dhjetëra projekte madhore… Është e pamundur me i ditë detajet e projekteve kur nuk je kryesues i projektit, me shumë totale nuk e di”- u përgjigj Lluka kur u pyet se a e di shumën totale të projektit të autostradës.
Sipas dëshmitarit, secila votë brenda KDNM-së që e udhëhiqte dhe kishte të drejtë vote Pal Lekaj e ka pasur peshën e njëjtë.
Dëshmitari Lluka u sfidua me pyetje të prokurorit special, Atdhe Dema, kur u pyet se nga ka ardhur konkludimi se rasti do të përfundonte në gjykata të arbitrazhit në rast të mospagesës së shumës së kërkuar nga kompania ndërtuese.
“Në shumë raste të tjera të mospagesave që kanë përfunduar në Arbitrazh edhe kjo me siguri do të ishte rast i tillë. Kjo vjen nga eksperienca dhe normalisht që kur prezantohen dokumentacionet për mospagesën apo dëshminë që Qeveria e Kosovës nuk ka paguar me kohë ratat që kanë qenë në mënyrë kontraktuale dhe ndërkohë sillen dëshmitë në atë kohë për dëmin e shkaktuar për kohën që ishin në komitet nuk ka pasë arsye për mospagesë të këtij…”- u përgjigj dëshmitari.
Paraprakisht në sesionin e paraditës është dëgjuar ish-shefi i kabinetit të ish-ministrit Pal Lekaj në Ministri, dëshmitari Argjent Zemaj.
Kujtojmë se dëshmitari Valdrin Lluka edhe në shqyrtimin e parë gjyqësor lidhur me këtë rast ishte dëgjuar në Gjykatë.
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte bërë precizimin e aktakuzës shumëfaqëshe të ngritur për katërshen e akuzuar për rastin e njohur si “53-milionëshi”, në lidhje me zgjatjen e afatit të përfundimit të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.
Ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, ish-këshilltari i tij politik Eset Berisha, ish-sekretari i kësaj Ministrie, Nebih Shatri dhe drejtori i prokurimit publik, Besim Tahiri, ishin gjetur fajtorë nga Gjykata e shkallës së parë më 31.01.2024.
Gjykata kishte shpallur fajtor dhe kishte dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berishën ishte dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike; sekretari i përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtorin e prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri ishin dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.
Me këtë vendim të Themelores nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit, e cila kishte gjetur një varg shkeljesh, me ç’rast kishte dhënë rekomandime për kthimin e rastit në rigjykim.
Një prej rekomandimeve ka qenë që të specifikohen saktë se cilat nene të Ligjit të prokurimit publik dhe cilat nene të Statutit të Kodit të Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror ishin shkelur nga të akuzuarit.
Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj Pal Lekajt, Eset Berishës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Sipas aktakuzës, katër të pandehurit me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare më 29 shtator 2017.
Sipas Prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera për autostradën “Arbën Xhaferi”, e njohur si “R6”.
Me Kontratën Bazë, e cila ishte lidhur në vitin 2014, parashihej që autostrada të përfundonte më 18 janar 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata do të përfundonte në fund të muajit dhjetor 2018.
Kjo marrëveshje, sipas Prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosto financiare, që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, sipas Prokurorisë, të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.
Tutje në aktakuzë thuhet se Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën, që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.
Kjo kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017. Pastaj, sipas Prokurorisë, ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro, pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të Komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor 2018.
Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin e bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare, lidhur me këtë projekt ishin: Komiteti Drejtues Ndërministror, i cili kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.
Sipas Prokurorisë, pagesa për shumën prej 53 milionë euro ishte në kundërshtim të plotë me rekomandimin e kompanisë mbikëqyrëse të projektit, që ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës “Hill International”.
Në rekomandimin e bërë në vitin 2017, “Hill International” kishte thënë që shuma e vetme që do duhej t’i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro, krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro të tjera, në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit (dy kërkesat e fundit “Hill” i kishte konsideruar si të pabazuara). Këtë rekomandim, sipas Prokurorisë, e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.
Këtë opinion, sipas Prokurorisë, Pal Lekaj nuk e ka prezantuar fare në mbledhjet e KDNM-së, të mbajtura për këtë arsye.
Përmbajtja e aktakuzës vazhdon duke treguar se si Pal Lekaj dhe këshilltari i tij Eset Berisha kishin kërkuar nga drejtori i Departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli, ndryshimin e opinionit ligjor që e kishte përpiluar më herët lidhur me këtë rast.
“Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e Kontratës dhe Kompania mbikëqyrëse “Hill International”, si dhe Departamenti i Prokurimit Publik si nënshkrues i Kontratës, të cilët posedojnë njohuri të specializuara.” – përshkruhet të ketë qenë formulimi i opinionit paraprak ligjor nga Kamerolli, më 01.06.2018, me numër protokolli 5124.
Pas presionit që përshkruhet në aktakuzë se ka pasur drejtori i Zyrës ligjore, Avdi Kamerolli, nga Eset Berisha (përmes dërgimit të një draft-opinioni të shkruar në e-mail) dhe Pal Lekaj, ka hartuar një version të ri të opinionit ligjor, duke e hequr emrin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” dhe duke e lënë si kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të MI-së.
Kështu, Pal Lekaj si kryesues i KDNM-së, duke fshehur dhe mos paraqitur gjendjen reale para anëtarëve të tjerë të këtij Komiteti (respektivisht, opinionin e kompanisë “Hill International”), e duke prezantuar tashmë opinionin e ndryshuar të Avdi Kamerollit, të së njëjtës datë 01.06.2018, por që mban numër tjetër të protokollit 5142, i ka shtyrë anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror që të rekomandojnë te Qeveria e Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enkës” për t’iu paguar shuma prej 53 milionë eurove – ashtu siç kishin kërkuar.
Duke mos përfillur opinionin e “Hill International” që parashihte pagesë për “Bechtel & Enka” për vetëm 14,778,654.87 euro, me të cilin vlerësim ishte pajtuar edhe kompania në fjalë, sipas Prokurorisë, me aprovimin e pagesës prej 53 milionë eurosh buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë euro.
Kështu, Prokuroria ka ardhur në përfundim se katër të akuzuarit në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.
Por, në bazë të përshkrimit të dispozitave të aktakuzës dhe aktvendimit të Prokurorit të Shtetit, të datës 7 gusht 2019, del se i pandehuri Eset Berisha ka ushtruar ndikim te drejtori i Zyrës ligjore, Avdi Kamerolli, gjë për të cilën shprehimisht në aktakuzë nuk specifikohet, siç ndodh me përshkrimin për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”.
Kjo çështje penale po trajtohet në rigjykim nga trupi gjykues i përbërë nga Violeta Namani-Hajra (kryetare) dhe Rrahman Beqiri e Donikë Shala – Abdyli (anëtarë). Kurse aktakuza përfaqësohet nga prokurori special, Atdhe Dema dhe Valdet Gashi.
Përbërja e trupit gjykues në rigjykim dallon nga përbërja e gjyqtarëve të cilët e kishin trajtuar herën e parë këtë çështje, e që ishin: Violeta Namani-Hajra (kryetare) dhe Vesel Ismaili e Musa Konxheli (anëtarë).
Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë proces gjyqësor mund t’i lexoni duke klikuar në këtë link.