
Të akuzuarit për rastin e 53 milionëshit në Gjykatë të Apelit -Arkiv 07.10.2024
Arsyetimi i Apelit për kthimin në rigjykim të rastit të '53 milionëshit'
Rasti i 53 milionëshit do të gjykohet përsëri në Gjykatën e Shkallës ndaj të akuzuarve për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ish ministrit Pal Lekaj, Nebih Shatrit, Besim Tahirit dhe ish – këshilltarit politik Eset Berisha.
Katërshja e akuzuar dhe dënuar nga shkalla e parë për rastin e ’53 milionëshit’, kishin kundërshtuar aktgjykimin dënues të Gjykatës Themelore.
Gjykata e Apelit kishte gjetur se Gjykata Themelore ka bërë aplikimin dy kodeve penale njëkohësisht, duke e konsideruar si veprim të gabuar.
Kjo pasi shkalla e dytë ka konstatuar se Themelorja kishte aplikuar dy kodet penale kur ishte referuar për veprat penale për të cilat ishin dënuar të akuzuarit.
Sipas Gjykatës së Apelit, Gjykata Themelore kur i kishte gjetur fajtor të akuzuarit, kishe shkuar se kanë vepruar në vazhdimësi duke ju referuar neni 77 të kodit penal që sipas apelit del të jetë kodi penal i cili kishte qenë në fuqi në kohën kur është kryer vepra peale.
Ndërsa kur i është referuar nenit që ka të bëjë më keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar i ishte referuar kodit të ri penal.
“Fillimisht kolegji ka parasysh se në raport me të pandehurit B. T. dhe N. SH. iu vihet në barrë vetëm nënshkrimi i kontratës për kryerjen e punimeve shtese ndërsa shpallen fajtor për vepër penale në vazhdimësi, gjë që e bën aktgjykimin që të jetë marrë me shkelje të ligjit penal në dëm të të pandehurve”- thuhet në gjetjet e Gjykatës së Apelit.
Gjykata e Apelit këtë konstatim e ka dhënë duke thënë se shkelja e ligjit penal është bërë në dëm të katër të akuzuarve Pal Lekaj, Nebih Shatri, Besim Tahiri dhe Eset Berisha.
“Në shkelje të nenit 385 paragrafi 1 nënpargrafi 1.4, duke qene se është zbatuar neni 77 i Kodit penal nr. 06/L-074 ndërsa janë shpallur fajtor për veprën penale nga neni 422 që ishte e inkriminuar me kodin penal Nr. 04/L-082, gjë që përveç se zbatohet dispozita që nuk rezulton se faktet i vihen ne barre për vepër penale ne vazhdimësi, njëkohësisht rezulton se gjykata themelore ka zbatuar dispozitat e dy kodeve penale, madje kodit penal nr. 06/L-074 qe nuk ishte ne fuqi në kohen kur konstatohet se janë kryer veprat penale. Ndërsa në raport me të pandehurit P.L dhe E.B, kolegji poashtu gjen se duke qenë se aktgjykimi i ankimuar është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale për faktet vendimtare dhe gjendja faktike nuk është vërtetuar drejte dhe në mënyrë të plotë kjo ka për efekt edhe zbatimin e gabuar te ligjit penal duke qene se vihet në dyshim në tersin e shkeljeve të konstatuar se kjo gjendje faktike mund ti nënshtrohet dispozitës nga neni 422, por njëkohësisht edhe ne raport me këta te pandehur rezulton se janë dënuar për veprën penale nga neni 422 qe inkriminohej me kodin penal Nr. 04/L 082”- thuhet tutje në arsyetim.
Gjykata e Apelit kishte gjetur edhe një varg shkeljesh të tjera që këtë rast e kishin cilësuar që ishin shkelur dispoziatat e kodit të procedurës penale.
Por tutje Apeli pasi kishte konstatuar një varg shkeljes në gjykimin e kësaj çështje penale, kishte dhënë një numër rekomandimesh që duhet të përfillen nga shkalla e parë kur rastin e merr për ta gjykuar për herë të dytë.
Për këtë rast ishin gjykuar dhe dënuar nga Shkalla e Parë ish-ministri i infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj “burgim” dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj “ndalim i ushtrimit të funksionit në Administratë Publike”. Eset Berisha është dënuar me 3 vjet e 3 muaj “burgim” dhe dënim plotësues prej 3 vjetësh “ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike”.
Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtori i Prokurimit Publik në këtë Ministri, Besim Tahiri janë dënuar secili me nga një vjet e tetë muaj “burgim” dhe me dënim plotësues prej 2 vjetësh “ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike”.
Aktakuza
Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzën për ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekajn, këshilltarin e tij politik, Eset Berishën dhe sekretarin e përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrin dhe Besim Tahirin – lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka”, e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”.
Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare, më 29 shtator të vitit 2017.
Sipas Prokurorisë, keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar Marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.
Përfundimi i autostradës me Kontratën bazë, e cila ishte lidhur në vitin 2014, parashihej të përfundonte me 18 janar të vitit 2018, kurse me Marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, Kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit dhjetor të vitit 2018.
Kjo Marrëveshje – sipas Prokurorisë – nga të pandehurit ishte lidhur pa kostot financiare, që ishte në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në Marrëveshje, Prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka”, që të paraqesë Kërkesë për pagesë.
Tutje, aktakuza thotë se Pal Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka”, për ta caktuar vlerën e Marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur.
Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.
Kjo Kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017, pastaj sipas Prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro, pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. Me Rekomandim të Komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar Kërkesën në qershor të vitit 2018.