'53 Milionëshi' - Pal Lekajn dhe të tjerët Gjykata Themelore i gjen fajtorë

Gjykata e Prishtinës ka shpallur vendimin në lidhje me pagesën prej 53 milionë eurove që Qeveria e Kosovës i kishte bërë kompanisë “Bechtel & Enka”, për zgjatjen e afatit të përfundimeve të punimeve për autostradën “Arbën Xhaferi”.

Gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar ish-ministrin e Infrastrukturës, Pal Lekaj me 3 vjet e 8 muaj burgim dhe me dënim plotësues prej 3 vjet e 6 muaj ndalim i ushtrimit të funksionit në administratë publike.

Ndërsa këshilltari i tij politik, Eset Berishën është dënuar me 3 vjet e 3 muaj burg dhe dënim plotësues prej 3 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike; sekretari i përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës për kohën kur ishte ngritur aktakuza, Nebih Shatri dhe drejtorin e prokurimit publik në këtë ministri, Besim Tahiri janë dënuar secili me nga një vit e tetë muaj burg dhe me dënim plotësues prej 2 vitesh ndalim ushtrimit të funksionit në administratë publike.

 

 

Gjykata gjeti se këto 53 milionë u dhanë kundërligjshëm dhe Pal Lekaj u shpall fajtor sepse kundërligjshëm nënshkroi marrëveshjen. Po ashtu, gjykata konstatoi se Pal Lekaj kishte ndikuar përmes këshilltarit të tij Eset Berisha tek Shefi i Zyrës Ligjore brenda Ministrisë, për të ndërruar opinionin ligjor mbi 53-milionëshin.

Ministria kishte kontratë me një kompani të huaj “Hill International”, që duhej ta mbikëqyrte projektin e autostradës “Prishtinë – Hani i Elezit”. Lekaj është gjetur fajtor se opinionin e kësaj kompanie mbi pagesën e 53-milionëve e kishte fshehur nga anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror, në të cilin Lekaj ishte kryesues.

Në këtë opinion, thuhej se nga 53 milionë euro, vetëm 14 milionë janë të arsyetuara si pagesë që duhej bërë.

“Me këtë kanë kryer veprën penale në bashkëkryerje – keqpërdorim i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 438, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. Atëherë gjykata konform rregullave të Kodit Penal dhe të procedurës penale të akuzuarit Pal Lekaj i shqipton dënim me burg në kohëzgjatje prej  3 vite e 8 muaj, i cili dënim do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, po ashtu të akuzuarit Pal Lekaj gjykata i shqipton dënim plotësues konform nenit 65 në kohëzgjatje prej 3 vite e 6 muaj ndalimi i ushtrimit të funksionit publik në administratë publike…”, tha gjyqtarja Violeta Namani.

“Të pandehurit Nebih Shatri i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 8 muaj, i cili do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi të bëhet i prerë. Po ashtu të pandehurit Nebih Shatri i shqipton dënim plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike dhe shërbime publike në kohëzgjatje prej  2 viteve”.

Gjyqtarja Namani tutje tha se: “Të pandehurit Besim Tahiri i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 1 vit e 8 muaj i cili do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi të bëhet i prerë. Po ashtu të pandehurit i shqipton dënim plotësues në kohëzgjatje prej 2 viteve – ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike dhe shërbime publike. Të pandehurit Eset Berisha i shqipton dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 vite e 3 muaj i cili do të ekzekutohet në momentin kur aktgjykimi të bëhet i prerë. Po ashtu të pandehurit Eset Berisha i shqipton dënim plotësues ndalimi i ushtrimit të funksionit në administratë publike dhe shërbime publike në kohëzgjatje prej 3 viteve”.

Bashkë me gjyqtaren Violeta Namani, në trupin gjykues që shpalli vendimin ishin edhe anëtarët Vesel Ismajli dhe Musa Konxheli.

Prokuroria kishte kërkuar dënim maksimal për të akuzuarit kurse mbrojta lirimin e të pandehurve në seancën kur janë thënë fjalët përfundimtare, e cila është mbajtur më 26 janar 2024.

Prokuroria Speciale më 4 shkurt të vitit 2022 kishte ngritur aktakuzë ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, këshilltarit të tij politik Eset Berisha dhe Sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës, Nebih Shatrit dhe Besim Tahirit, lidhur me ekzekutimin e 53 milionë eurove për kompaninë “Bechtel & Enka” e cila ishte kontraktuar për ta ndërtuar autostradën “Arbën Xhaferi”

Sipas aktakuzës, Pal Lekaj, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri me dashje i kanë tejkaluar kompetencat e tyre dhe nuk i kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare me datë 29 shatator të  vitit 2017.

Sipas prokurorisë keqpërdorimi ka ndodhur në momentin kur të lartcekurit kanë nënshkruar marrëveshjen për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve për 347 ditë të tjera, për autostradën “Arbën Xhaferi” apo e njohur si R6.

Përfundimi i autostradës me kontratën bazë e cila ishte lidhur në vitin 2014 parashihej të përfundonte me 18 janar të vitit 2018, kurse me marrëveshjen e re të lidhur nga të pandehurit, kontrata tashmë do të përfundonte në fund të muajit  dhjetor të vitit 2018.

Kjo marrëveshje, sipas prokurorisë, nga të pandehurit ishte lidhur pa kosot financiare që ishte në kundërshtim me ligjin e prokurimit publik dhe me Statutin dhe Kodin e Sjelljes të Komitetit Drejtues Ndërministror. Duke mos përcaktuar koston në marrëveshje, prokuroria thotë që të pandehurit i kanë lënë rrugën hapur kompanisë “Bechtel & Enka” që të paraqesë kërkesë për pagesë.

Tutje aktakuza thotë se Lekaj kishte angazhuar këshilltarin e tij politik, Eset Berishën që të merret me negociatat me kompaninë “Bechtel & Enka” për ta caktuar vlerën e marrëveshjes, të cilën e kishin lënë të hapur. Sipas pretendimeve të organit të akuzës, Pal Lekaj këtë veprim e ka bërë pa pasur pëlqimin e Komitetit Drejtues Ndërministror.

Kjo kërkesë në vlerë prej 63 milionë euro ishte paraqitur më 27 nëntor 2017, pastaj sipas prokurorisë ishte zbritur në vlerë prej 53 milionë euro pas bisedimeve që kishte zhvilluar Berisha me kompaninë ndërtuese. E që me rekomandim të komitetit Drejtues Ndërministror, Qeveria e Kosovës e kishte aprovuar kërkesën në qershor të vitit 2018.

Sipas aktit akuzues, organet kompetente për zhvillimin bisedimeve, marrjen e vendimit dhe përcaktimin e kostos financiare lidhur me këtë projekt e kishin, Komiteti Drejtues Ndërministror i cili Kryesohej nga Pal Lekaj dhe Njësia për Implementimin e Projektit.

Sipas prokurorisë pagesa për shumën prej 53 milionë eurove ishte në kundërshtim të plotë me rekomandim e kompanisë mbikëqyrëse të projektit e cila ishte kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, “Hill International”. Sipas këtij rekomandimi të bërë në vitin 2017 nga “Hill International” kishte thënë që shuma e vetme që do duhej t`i paguhej kompanisë ndërtuese ishte 14,778,654.87 euro krahas dy kërkesave të tjera që ishin 36.3 milionë euro tjera në emër të pajisjeve dhe 10 milionë të tjera në emër të pengimit për realizimin e projektit (dy kërkesat e fundit, “Hill” i kishte konsideruar si të pa bazuara).  Këtë rekomandim sipas Prokurorisë e kishin shpërfillur të akuzuarit Pal Lekaj dhe Eset Berisha.

Këtë opinion prokuroria thotë që Pal Lekaj nuk e ka prezantuar fare në mbledhjet e KDNM-së,  të mbajtura për këtë arsye.

Përmbajtja e aktakuzës vazhdon duke treguar se si Pal Lekaj dhe këshilltari i tij, Eset Berisha kishin kërkuar nga drejtori i departamentit Ligjor të Ministrisë së Infrastrukturës, Avdi Kamerolli ndryshimi  e opinionit ligjor që e kishte përpiluar më herët lidhur me këtë rast.

“Opinione sqaruese të tjera konsideroj se mund të japin personat përgjegjës për menaxhimin e kontratës dhe kompania mbikëqyrëse “Hill International” dhe Departamenti i prokurimit Publik si nënshkrues i kontratës të cilët posedojnë njohuri të specializuar”- përshkruhet të ketë qenë formulimi i opinionit paraprak ligjor nga Avdi Kamerolli më datë 01.06.2018 me numër protokolli 5124.

Pas presionit që përshkruhet në aktakuzë të ketë pasur drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, nga Eset Berisha {përmes dërgimit të një draft opinioni të shkruar në email} dhe Pal Lekaj,  ka hartuar një version të ri të opinionit ligjor duke e hequr emrin e kompanisë mbikëqyrëse “Hill International” duke e lënë si kompetente për opinionet shtesë vetëm Departamentin e Prokurimit në kuadër të MI.

Kështu Pal Lekaj si kryesues i KDNM-së duke fshehur dhe mos paraqitur para anëtarëve të tjerë të këtij komitetit gjendjen reale {respektivisht opinionin e kompanisë “Hill International”}, e duke i prezantuar tashmë opinionin e ndryshuar të Avdi Kamerollit të të njëjtës datë 01.06.2018 por që mban numër tjetër të protokollit 5142, i ka shtyrë anëtarët e Komitetit Drejtues Ndërministror që të rekomandojnë te Qeveria e Kosovës që të aprovojë kërkesën e “Bechtel & Enkës” për të i’u paguar shuma prej 53 milionë eurove ashtu siç kishin kërkuar.

Duke mos përfillur opinionin e “Hill International” që parashihte pagesë për “Bechtel & Enka” për vetëm 14,778,654.87 euro,  më të cilin vlerësim ishte pajtuar edhe kompania në fjalë, sipas prokurorisë, më aprovimin e pagesës prej 53 milionë euro, buxhetit të Kosovës i është shkaktuar dëm në vlerë prej 38 milionë euro.

Kështu prokuroria në përfundim ka ardhë se katër të akuzuarit në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrën zyrtare.

Por, në bazë të përshkrimit të dispozitat të aktakuzës dhe aktvendimit të prokurorit të shtetit të datës 7 Gushtit të vitit 2019, del se i pandehuri Eset Berisha ka ushtruar ndikim tek drejtori i zyrës ligjore Avdi Kamerolli, gjë për të cilën shprehimisht në aktakuzë nuk specifikohet siç ndodhë me përshkrimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Dënim maksimal të të akuzuarve në seancën kur janë dhënë fjalët përfundimtare kishte kërkuar prokurorial Speciale, por që në aktakuzë prokuroria ka kërkuar dënimin plotësues për të pandehurit duke kërkuar nga Gjykata që urdhëroj të pandehurit që në mënyrë solidare të bëjnë kompensimin e humbjes apo dëmit që i është shkaktuar Buxhetit të shtetit e që sipas aktakuzës dëmi monetar që i është shkaktuar buxhetit të shtetit del të jetë 38 milionë euro.

Si dënim plotësues Prokuroria Speciale ka kërkuar edhe ndalimin e ushtrimit të funksioneve në administratë publike për të akuzuarit.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me këtë propces gjyqësor mund t`i lexoni duke klikuar në LINK