Rama: Në biletat ndërurbane do të inkorporohen falas biletat gjithëditore për transportin urban në kryeqytet
Nga sot, 17.03.2025, biletat ndërurbane të udhëtarëve që vijnë nga çdo qytet i Kosovës në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, do të inkorporohen si bileta falas në transportin urban gjithëditor në kryeqytet.
Kështu ka njoftuar kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se me këtë organizim të ri të transportit publik, Kryeqyteti do të ketë më pak vetura, më pak trafik, më pak ndotje ambientale dhe më shumë organizim dhe siguri.
“Ky është edhe një hap tjeter i rëndësishëm në procesin e reformës për transportin publik në Kryeqytet, nga i cili do të përfitojnë edhe qytetarët e Kryeqytet. Me këtë organizim të ri të transportit publik, Kryeqyteti do të ketë më pak vetura, më pak trafik, më pak ndotje ambientale dhe më shumë organizim dhe siguri” – ka shkruar Rama në rrjetin social “Facebook” më 17.03.2025
Nga 1 janari 2025, Komuna e Prishtinës njoftoi se Operatorët privatë të transportit do të operojnë me të njëjtat kushte si Trafiku Urban.
Qytetarët e Prishtinës tani kanë sistem të unifikuar të transportit publik urban, me bileta të integruara ditore, javore dhe mujore për të gjitha linjat.
Çmimet e biletave janë si më poshtë:
- 0.50€ për një udhëtim të vetëm;
- 0.80€ për biletën ditore (vlefshme për të gjitha linjat);
- 4€ për biletën javore;
- 12€ për biletën mujore për studentë;
- 14€ për biletën mujore për punëtorë.
Kategoritë e liruara nga pagesa për të gjitha linjat urbane janë:
- Pensionistët
- Policia
- Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK)
- Veteranët
- Zjarrfikësit
- Personat me aftësi të kufizuara
- Nxënësit e Shkollave Fillore.