Kandidati për kryeministër Ramush Haradinaj. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com
Propozimi për shtrenjtim të rrymës, Haradinaj: Kjo qeveri e paaftë dhe e rrezikshme
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas propozimit të Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) rritje të çmimit të energjisë elektrike përreth 15% nga muaji prill.
Sipas Haradinajt, kryeministri Albin Kurti e shkatërroi sektorin e energjisë me vendimet e tij “të papërgjegjshme”.
Haradinaj thotë se ky propozim është një goditje e rëndë për mirëqenien e familjeve kosovare dhe për ekonominë e vendit.
“Me krenari e pati anuluar kontratën për ndërtimin e termocentralit të ri, duke i humbur Kosovës 21 milionë euro dëm në arbitrazh. E ndaloi gazsjellësin amerikan dhe çdo investim strategjik, duke e lënë vendin pa asnjë alternativë të sigurt dhe afatgjatë për energjinë. Përfitues të kësaj politike të qëllimshme janë vetëm tregtarët e energjisë dhe klika e tij politike – ndërsa humbësi i vetëm është qytetari i Kosovës!” – ka shkruar Haradinaj më 23.03.2025 në rrjetin social “Facebook”.
Sipas tij, kjo qeveri është e “paaftë dhe e rrezikshme”.
“Prandaj Kosova ka nevojë për një udhëheqje që i mbron qytetarët, e jo që i dëmton ata”- shtoi ai.
Raporti që rekomandon rritjen prej 15% të çmimit të rrymës do të jetë në diskutim publik për dy javë. Por, Vendimi i Bordit të ZRRE-së mund të merret deri më 15 prill të këtij viti.
“Rritja është e pashmangshme për shkak të kostove që kanë ndodhë. Përafërsisht 15% pritet me u rritë.” – kishte deklaruar për KALLXO.com Petrit Pepaj nga ZRrE më 14.03.2025.
Në shkurt të këtij viti, KALLXO.com raportoi se Kompanitë e Sektorit të Energjisë në Kosovë (KESCO, KEDS dhe KOSTT) kishin kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që t’ua lejojë rritjen e të hyrave të lejuara maksimale për vitin 2025, me rreth 145 milionë euro më shumë, krahasuar me vitin 2024.
Nga rreth 400 milionë euro sa kanë qenë të hyrat maksimale të lejuara për vitin 2024, në vitin 2025 të hyrat maksimale janë kërkuar të jenë rreth 545 milionë euro. Pra, në përqindje rritja ishte kërkuar për rreth 35%.