Prokuroria heq dorë nga akuza ndaj gazetarëve që shkruan kundër Blerim Devollit

Shkëlzen Dakaj dhe Valdete Dakaj nuk do të ndiqen më penalisht për shkrimin të cilin e kishin publikuar ndaj biznesmenit nga Peja, Blerim Devolli.

Procedura penale ndaj tyre përfundoi pasi Prokuroria e Prishtinës ka hequr dorë nga aktakuza me të cilën për lajmërim të rremë i kishte akuzuar dy gazetarët e portalit Infokus.

Aktvendimi, të cilin e ka siguruar KALLXO.com, përshkruan se aktakuza ndaj dy gazetarëve është hedhur poshtë pasi Prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale.

Parashtresa e prokurorit u dërgua në Gjykatën e Prishtinës më 29 prill të këtij viti. Përmes saj, Prokuroria e njoftoi Gjykatën se në atë rast nuk ka elemente të veprës penale ndonëse katër vite më parë kishte vendosur t’i ndiqte penalisht dy gazetarët.

KALLXO.com në fillim të muajit prill kishte raportuar për aktakuzën e paprecedentë të Prokurorisë, e cila në esencë cenonte lirinë e mediave.

Aktakuza ishte ngritur nga prokurori Remzush Latifi, i cili dy gazetarët i ngarkonte me veprën penale të lajmërimit ose kallëzimit të rremë.

Latifi kishte konsideruar se dy gazetarët e kishin kryer këtë vepër në momentin kur e kishin publikuar lajmin se Blerim Devolli posedonte pasaportë të falsifikuar të Malit të Zi, pasi sipas tij, pasaporta ishte origjinale dhe media kishte publikuar lajm të rremë.

Prokurori lajmin e rremë e konsideroi vepër penale ndonëse një gjë e tillë nuk parashihet askund në ligjet e Kosovës.

Sipas legjislacionit tonë, publikimi i lajmeve të rreme në Kosovë trajtohet përmes Ligjit kundër shpifjes dhe fyerjes. Personat të cilëve iu dëmtohet imazhi nga artikujt e pavërtetë përmes këtij Ligji i drejtohen gjykatës kompetente me kërkesën për konstatimin e shpifjes dhe kompensimit të dëmit.

Mirëpo, përkundër ekzistimit të mekanizmave kundër shpifjes dhe fyerjes, prokurori Remzush Latifi kishte vendosur që penalisht t’i ndiqte dy gazetarët duke i akuzuar për kallëzim të rremë.