Kamerat - Foto: Rtv21

Aktakuza e paprecedentë e Prokurorisë që cenon lirinë e mediave  

Me pesë rreshta akuzë e dy faqe në total, prokurori i Prishtinës, Remzush Latifi është mjaftuar që të paraqesë njërën nga aktakuzat më të çuditshme në Republikën e Kosovës, e cila në esencë duket se tenton të cenojë lirinë e mediave.

Vepra penale e përshkruar pretendohet të jetë kryer përmes shpërndarjes së lajmeve të pavërteta në portalin “Infokus”.

Që nga viti 2018 dy gazetarët e këtij portali Shkelzen dhe Valdete Dakaj figurojnë të akuzuar  për publikim të lajmeve të rreme ndaj biznesmenit të njohur, Blerim Devolli.

Ata akuzohen se kanë kryer veprën penale të lajmërimit ose kallëzimit të rremë në momentin kur e kanë publikuar lajmin se Blerim Devolli posedonte pasaportë të falsifikuar të Malit të Zi.

Me pretendimet se biznesmenit nga Peja i është dëmtuar nderi dhe autoriteti, përmes dy faqeve përmbajtje dhe arsyetim, prokurori Remzush Latifi ka paraqitur në gjykatë aktakuzën e cila nuk është parë dhe dëgjuar deri më tani në sistemin e drejtësisë. Kjo pasi publikimi i lajmeve të rreme nuk figuron askund të ligjet e Kosovës si vepër penale.

Sipas legjislacionit tonë, publikimi i lajmeve të rreme në Kosovë trajtohet përmes Ligjit kundër shpifjes dhe fyerjes. Personat të cilëve iu dëmtohet imazhi nga artikujt e pavërtetë përmes këtij ligji i drejtohen gjykatës kompetente me kërkesën për konstatimin e shpifjes dhe kompensimit të dëmit.

Mirëpo, përkundër ekzistimit të mekanizmave kundër shpifjes dhe fyerjes, prokurori Remzush Latifi ka vendosur që penalisht t’i ndjek ty gazetarët duke i akuzuar për kallëzim të rremë.

Vepra penale e kallëzimit të rremë të cilën prokurori e ka përshkruar në aktakuzë, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës kryhet kur një person raporton rrejshëm në organet e hetuesisë se dikush ka kryer vepër penale.

Në rastin konkret, lajmet e rreme në media nuk mund të kualifikohen si vepra penale pasi ato trajtohen përmes Ligjit kundër shpifjes dhe fyerjes dhe mekanimave të tjerë siç është Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës.

Lidhur me këtë aktakuzë mbrëmë ka reaguar avokati Arbër Jashari, i cili mbron njërin nga të akuzuarit e këtij rasti.

Jashari ka thënë se aktakuza lë dyshime se është ngritur për motive të ulëta dhe frikësim të gazetarëve.

“Aktakuza që e kthen Kosovën një epokë mbrapa dhe lë dyshime se është bërë për motive të ulta, aktakuza ka të bëjë me një hulumtim të natyrës gazetareske të botuar në portalin Infokus. Është totalisht e papranueshme që gazetarët të vihen në bankën e të akuzuarve për fjalën e lirë”, ka shkruajtur Jashari.

KALLLXO.com ka kërkuar informacione nga Prokuroria e Prishtinës në lidhje me ngritjen e kësaj aktakuze, mirëpo deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.