Foto: Ilustrim

Prizren, paraburgim për të dyshuarin që kërcënoi me sëpatë vëllanë dhe nënën

Gjykata e Prizrenit ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit O.L., i cili dyshohet për veprat penale – lëndim i lehtë trupor dhe kanosje.

Vendimi është marrë nga gjyqtari i procedurës paraprake Refki Piraj dhe masa do të llogaritet prej datës 14.01.2021 deri më 13.02.2021.

Gjykata me rastin e caktimit të paraburgimit ndaj të pandehurit O.L. ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore  për caktimin e masës.

Sipas dosjes së Prokurorisë, më 14.01.2021 rreth orës 01:00, në shtëpinë e përbashkët familjare, i dyshuari i shkakton lëndim të lehtë trupor vëllait të tij A.L., në atë mënyrë që pas disa mosmarrëveshjeve rreth bashkësisë familjare – pronës, i pandehuri shkon në dhomën ku ishin i dëmtuari dhe e ëma, ku fillimisht kanë debatuar, në një moment situata ka eskaluar ashtu që i pandehuri merr një tabëll duhani (taketuke) mjet ky i rrezikshëm për të shkaktuar lëndim të rëndë trupor dhe me të njëjtën disa herë e godet në kokë të dëmtuarin A.L.,dhe më pastaj largohet nga aty. Si pasojë e kësaj goditjeje i dëmtuari pëson lëndim të lehtë trupor, për çka detyrohet të kërkojë ndihmën e mjekut për trajtim të plagës.

Gjithashtu, nga provat e mbledhura deri në këtë fazë, rrjedh dyshimi se i pandehuri O.L.,me datë 14.01.2020, rreth orës 01:00, seriozisht kanos nënën dhe të dëmtuarin vëllanë A.L. me fjalë, vepra apo gjeste se do t’i shkaktojë ndonjë të keqe me qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit tek ata, në atë mënyrë që gjatë mosmarrëveshjes dhe debatimit me të dëmtuarit atyre u drejtohet me fjalë: “Djali im ka me ju vra, kapni teshat dhe ecni, kamionin e keni dhe largohuni”.

Në momentin kur i dëmtuari A.L. ka refuzuar të dalë nga shtëpia, i pandehuri ka dalë përjashta i është afruar vendit ku i mbajnë drutë për djegie, nga ku ka marrë një sëpatë dhe përsëri ngjitet lart në katin ku ishin të dëmtuarit dhe tenton të hyjë në dhomë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, i dëmtuari A.L. arrin ta mbyllë derën duke parandaluar më të keqen, mirëpo me atë rast lëndon gishtin e dorës së majtë.

I pandehuri O.L. vazhdon ta godasë derën e dhomës me sëpatë dhe seriozisht i kanos duke u thënë: ” Kam me ju mbyt, kam me ju pre, kam me ju bo copa”. Pas qëndrimit të tij rreth 30 minuta, më pastaj largohet nga aty duke e vazhduar kanosjen, duke i dërguar SMS të dëmtuarit me përmbajtje: “O ti veç nëse shkon në Hënë se krejt ki mi la qato ofendime ja ti ja unë, o nënën kam me ta .…, unë ty ja ti mu, kur burrë s’ki me konë po kofsh burrë qu i lajna hesapet”, gjë që te i dëmtuari shkakton frikë, ankth dhe pasiguri, si pasoj e të cilës i dëmtuari me rastin e paraqitjes në polici ka kaluar natën në stacion të policisë, duke mos guxuar të shkojë në shtëpi.

Kurse a do të argumentohen këto fakte do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar edhe masa tjera për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë, mirëpo ka ardhur në përfundim se në rastin konkret të njëjtat janë të pamjaftueshme për zhvillimin e rregullt të procedurës penale, duke pasur parasysh faktet dhe rrethanat e lartpërmendura, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale, sipas mendimit të gjykatës caktimi i masës së paraburgimit tani për tani është i domosdoshëm dhe i arsyeshëm.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese përmes Gjykatës në Prizren, Gjykatës së Apelit në Prishtinë. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e këtij aktvendimi.