Berna Saraç, Gëzim Sveçla, Arianit Beqiri dhe Albin Kurti. Foto: Gëzim Sveçla/Facebook

Prishtinë, më pak se një muaj pasi kaloi në PDK, asamblistja Berna Saraçi kthehet prapë në LVV

Asamblistja e Kuvendit Komunal në Prishtinë, Berna Saraçi, më pak se një muaji pasi u largua nga grupi i asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe iu bashkua grupit të PDK-së, ka vendosur të kthehet sërish në LVV.

Për kthimin e saj në LVV ka njoftuar vetë shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së në Prishtinë, Gëzim Sveçla.

Ai madje ka postuar edhe një fotografi ku shihet bashkë me Saraçin, asamblistin Arianit Beqiri e edhe me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, i cili njëherësh është edhe kryetar i partisë Lëvizja Vetëvendosje.

Për këtë lëvizje të Saraçit ka reaguar edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu, e cila i takon PDK-së.

Ajo ka thënë se bashkë me grupin e PDK-së në Prishtinë, Bernës i dëshirojnë rrugëtim të qetë dhe të mbarë në vazhdimësi.

“Më 21 qershor ndava njoftimin se Berna Saraçi na u bashkua për Prishtinën. Më 27 qershor, në mbledhjen e pestë të Kuvendit Komunal, zyrtarizuam kalimin e saj si asambliste në grupin e PDK me arsyetimin e elaboruar në fjalimin e saj. Sonte Berna ka vendosur të kthehet si asambleiste e LVV-së për të përmbyllur mandatin e saj në grupin ku ishte deri me 21 qershor. Bashkë me grupin e PDK në Prishtinë, Bernës i dëshirojmë rrugëtim të qetë dhe të mbarë në vazhdimësi” – u shpreh nënkryetarja.

Në ditën kur asamblistja kishte kaluar në PDK, LVV-ja në Prishtinë kishte reaguar duke pretenduar se ky është një rast i kërcënimit dhe se ajo ka kaluar në PDK pa vullnetin e saj.

Në reagimin e kësaj partie, thuhet se asamblistja Saraçi ka paraqitur shqetësimet e saj për kërcënimet që, sipas tyre, po i bëhen nga eksponentë të partive të pushtetit lokal.

Mirëpo, Saraçi kishte mohuar pretendimet e Lëvizjes Vetëvendosje se aderimi i saj në Partinë Demokratike ka të bëjë më kërcënim.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Saraçi kishte thënë se kalimi i saj në PDK ishte bërë me vullnetin e saj.