Nis votimi i fshehtë - Fehmi Kupina kandidati i vetëm për kryesues të Asamblesë së Prishtinës

Me vonesa dhe probleme teknike është përcjellur seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës, për emërimin e kryesuesit të ri, pas shkarkimit të Pëllumb Bajqinovcit me vota të opozitës.

Asamblisti më i vjetër i asamblesë Ajet Brajshori nga LDK, ishte paraparë që të udhëheq seancën e jashtëzakonshme të thirrur me një pikë të vetme të rendit – zgjedhja e kryesuesit të Kuvendit Komunal në kryeqytet.

Për shkak të vonesave në nisje të seancës për zgjedhjen e kryesuesit, LVV akuzoi se “shërbimi i Kuvendit është me Përparim Ramën” dhe se u bojkotuan nga ky shërbim.

Pas 30 minutave me vonesë, Brajshori erdhi në seancë, por kërkoi “me mirëkuptim” nga kolegët asamblistë që seanca të vazhdojë pas 30 minutave të tjerë. Pasi nuk hasi në “mirëkuptimin” e tyre, Brajshori, vendosi që seanca të shkoi në “15 minuta pauzë”.

Opozita nuk u pajtua dhe caktoi që Nora Kelmendi, si një prej asamblistëve më në moshë, të udhëheq seancën.

Por, pasi shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, mori fjalën tha se nuk kanë një kandidat nga lista e tyre si propozim për kryesues.

“Siç po e shihni tash e një kohë mbizotëron kjo gjendje si pasojë e LDK-së dhe kryetarit Përparim Rama për kapje të çdo organi që ka të bëjë me kryeqytetin, në një kohë kur partia e tyre i ka vetëm 25% të votave . Fjalimi im është sot më i gjatë por, për shkak të situatës së krijuar, du me thanë vetëm disa fjalë; Lëvizja Vetëvendosje nuk ka kandidat të vetin për kryesues komunal. Me qëllim të lëvizjes së gjërave përpara, ne hjekim dorë nga ky propozim, ndonëse moralisht na takon sepse jemi grupi më i madh, megjithatë, për të mirën e kuvendit do të votojmë një kandidat që do të ketë mbështetjen e të paktëve 26 asamblistë” – ka thënë ai.

Partia opozitare AKR ka propozuar kandidatin e pavarur Fehmi Kupina për tu votuar në pozitën e kryesuesit të Kuvendit Komunal.

Më 30 anëtarë të pranishëm ka nisur seanca e jashtëzakonshme për procesi i votimit për zgjedhjen e kryesuesit të Kuvendit Komunal në kryeqytet.

Për shkak të probleme teknike me mikrofonin në foltore të Kuvendit, Gëzim Mehmeti nga AKR u shpreh se është “marre kjo që po bënë shërbimi i Kuvendit”

Leutrim Retkoceri nga PDK tha se nuk do mbajë fare fjalim për shkak të gjendjes së krijuar me probleme teknike.

Më bazë të ligjit për vetë qeverisje lokale procesin e votimit do e bëjë me votë të fshehtë.

08.06.2023 në një seance të jashtëzakonshme, kryesuesi i Kuvendit Komunal, Fehmi Kupina dha dorëheqje nga Lidhja Demokratike e Kosovës, duke vazhduar mandatin si i pavarur.

27.06.2023, Kuvendi Komunal i Prishtinës ka shkarkuar kryesuesin e saj, Fehmi Kupina. Me 27 vota për dhe 1 kundër u miratua propozimi për shkarkim të Fehmi Kupinës.