Anulohet vendimi për këmbimin e pronave në Badovc

Kuvendi Komunal i Prishtinës ka anuluar vendimin për këmbimin e pronave në zonën e mbrojtur në Badovc me ato tek lagjja ‘Prishtina e Re’.

Kjo pikë u votua me 27 vota.

Për ta anuluar këtë vendim, partia në koalicion qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës është bërë bashkë me partinë opozitare, Lëvizjen Vetëvendosje.

Në seancë ka marrë pjesë kryetari Përparim Rama me kabinetin e tij dhe asamblistë të LDK-së, por të njëjtit kanë lëshuar sallën para se kjo pikë të hidhet në votim.

Seanca e sotme ka qenë e jashtëzakonshme me këtë pikë të vetme të rendit të ditës.

Gjykata e Prishtinës përmes një aktvendimi të nxjerrë më 2 shkurt 2024 ka vendosur për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit për këmbimin e pronës komunale në “Prishtina e Re” me pronat në Badovc.

Në dhjetor 2023, Kuvendi Komunal në Prishtinë mori vendim për këmbim të pronave në Badovc me prona në lagjen Prishtina e Re, proces ky që kishte nisur qysh në mandatin e dytë të ish kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

Partneri qeverisës në kryeqytet PDK kishte bojkotuar këtë seancë, derisa LVV kishte siguruar kuorumin me prezencën e tyre në seancë.

Pas këtij bojkotimi nga PDK dhe daljes së tyre publikisht në mospërkrahje të këtij këmbimi, kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama nisi shkarkimin e drejtorëve që vijnë nga radhët e kësaj partie. PDK po pretendon se kjo është hakmarrje pikërisht për pronat në Badovc.