Prishtinë, dështon seanca në të cilën do të kërkohej anulimi i vendimit për këmbim pronash
Në mungesë të kuorumit, ka dështuar mbledhja e parë e rregullt e Kuvendit Komunal të Prishtinës.
Në këtë seancë, Lëvizja Vetëvendose pritej të hidhte në votim anulimin e vendimit të datës 21.12.2023 për këmbimin e pronës komunale në lagjen Prishtina e Re.
Në asamble nuk u paraqiten asamblistët nga LDK e as nga PDK.
Ndërkaq edhe ulëset e udhëheqësve të Komunës mbeten të zbrazura.
Në mungesë të kuorumit, kryesuesi Përllumb Bajqinovci mbylli seancën.
Shefi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, mbajti një konferencë për media në sallën e asamblesë duke kritikuar mospjesëmarrjen e pushtetit në seancë.
“Realisht kjo shpërfaqë mendësinë e këtij koalicioni qeverisës LDK-PDK. Prej orës 10:00 kemi ardhë në seancë e rregullt, mirëpo as LDK as PDK, as një prej drejtorëve të ekzekutivit nuk janë të pranishëm. Arsyeja është shumë e qartë. LVV do të propozojë anulimin e vendimit të seancës së datës 21.12 në lidhje me këmbimin e pronave” – tha Sveçla.
Më 25 janar 2024, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media tha se ishin cak i sulmeve sa i përket çështjes së këmbimit të pronave.
Rama tha se ky proces ka filluar më shumë se dy vjet para se ai të vinte në postin e kryetarit të Prishtinës.
“Kjo si pasojë e vendimeve të Ministrisë së Ambientit. Jemi duke zbatu një proces të rregullt, i miratuar nga Asambleja Komunale dhe është ende proces i papërfunduar. Në këtë rast, kemi ndjekur të gjitha procedurat dhe hapat ligjor në bazë të vendimeve të ministrive, pasi që pala ka pas vendime të miratuara nga Ministritë për këmbim të pronës e që e obligon kryeqytetin me vepru”- deklaroi Rama.
Tutje, kryetari i Kryeqytetit tha se ka pas keqraportime sa i përket kësaj çështjeje.