Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LVV në Prishtinë pretendon se asamblistja e tyre kaloi në PDK pasi u kërcënua

Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka reaguar pas aderimit të asamblistes Berna Saraçi e cila sot i është bashkuar grupit të Partisë Demokratike të Kosovës.

LVV ka pretenduar se ky është një rast i kërcënimit dhe se ajo ka kaluar në PDK, pa vullnetin e saj.

Në reagimin e kësaj partie, thuhet se asmablistja Saraçi ka paraqitur shqetësimet e saj për kërcënimet që sipas tyre, po i bëhen nga eksponentë të partive të pushtetit lokal.

“Në mbledhjen e fundit të kryesisë së Qendrës me grupin e asamblistëve, ish asambleistja Berna Saraçi na ka paraqitur shqetësimet e saj në raport me kërcënimet dhe shantazhet që po i bëhen asaj dhe familjes së saj nga eksponentë të partive të pushtetit lokal. Të njëjtët e paraqitën sot aderimin e saj në këtë subjekt si sukses”- thuhet në reagimin e LVV-së në Prishtinë.

LVV u ka bërë thirrje institucioneve të drejtësisë të fillojnë hetimet mbi rastin.

“Ky kalim në PDK urojmë të jetë vendim i marrë me vullnet të lirë e jo ndrydhje e devijim i këtij vullneti siç na është paraqitur nga vetë ajo”- thuhet tutje në reagimin e tyre.

KALLXO.com ka tentuar të marrë qëndrimin e Saraçit për këtë çështje, por e njëjta deri në publikimin e këtij artikulli ka qenë e pa qasshme.

Asamblistja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në kryeqytet, Berna Saraçi i është bashkuar grupit të Partisë Demokratike të Kosovës. Kështu është bërë e ditur nga nënkryetarja e komunës, Donjeta Sahatçiu e cila edhe i ka uruar mirëseardhje në ekip Saraçit.

“Prej sot, ekipi i PDK-së në Prishtinë përfaqësohet edhe me një super grua në Kuvendin Komunal. Berna Saraçi do të vazhdojë të shërbejë si këshilltare komunale për të nxitur punë edhe më të mirë në Kryeqytet”- është shprehur Sahatçiu.

Asamblistja e LVV-së në kryeqytet Berna Saraçi i bashkohet PDK-së