Shefi i asamblistëve të LVV në Prishtinë, Gëzim Sveçla në konferencë për media | Foto: Kallxo.com

LVV në Prishtinë: Qeverisja LDK – PDK në Kryeqytet është koalicion i ‘interesave të ngushta’

Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Prishtinës e anuluar me kërkesë të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, po cilësohet si i jashtëligjshëm nga opozita në Prishtinë, Grupi i Asamblistëve të LVV-së.

Shefi i asamblistëve të Prishtinës, Gëzim Sveçla në një konferencë për media tha se arsyetimi i dhënë nga Përparim Rama për anulimin e seancës, nuk qëndron.

‘’Arsyetimi i kryetarit Rama përmes letrës së tij se anulimi ka të bëj me disa vërejtje se ne si opozitë i kemi shprehur në mbledhjen e komitetit për politikë dhe financa nuk qëndron, për shkak se si opozitë dhe anëtarë të komitetit për politikë dhe financa, çdo takim që e kemi pasur, ne kemi paraqitur vërejtët dhe sugjerimet tona që asnjëherë nuk janë marrë parasysh” – tha Sveçla në konferencë për media.

Sveçla pretendoi se deri te anulimi i seancës është një situatë e krijuar mes partnerëve të koalicionit.

Në Prishtinë LDK dhe PDK qeverisin së bashku.

“Vlerësojmë që anulimi i kësaj seance është i paligjshëm dhe i parregullte, është akt që nuk kanë ndodhur asnjëherë më parë, por sot ka ndodhur për shkak të përplasjes së koalicionit brenda qeverisës, për shkak të mos-përputhjes së interesave të tyre. Ne kemi thënë që ky koalicion është koalicion i interesave të ngushta, grupeve të caktuar, interesave familjare e partiake. Atëherë kur nuk përputhen, krijojnë bllokada siç ishte kjo e sotmja” – tha tutje Sveçla.

Seanca e sotme e Kuvendit Komunal të Prishtinës pritej që të niste në orën 10:00, u shty për 1 orë, para se të anulohej pa nisur fare.

Përparim Rama anulon seancën e jashtëzakonshme, opozita e quan ‘instalim diktature’