Pamje nga takimi i presidentes Vjosa Osmani me ekipin ndërlidhës të NATO-s. Foto: ZPRK.

Presidentja Osmani takoi përfaqësuesit e ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s

Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot, më 11.04.2024, në takim drejtorin në largim të ekipit këshillues dhe ndërlidhës të NATO-s (NALT), gjeneral brigade Ralf Peter Hammerstein, si dhe drejtorin e ardhshëm të NALT-it, gjeneral brigade Christian Nawrat, të shoqëruar nga shefja e sektorit të operacioneve aktuale nga selia e NATO-s, Ariella Viehe.

Sipas njoftimit të Zyrës së Presidentes, gjatë takimit presidentja Osmani shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin dhe shërbimin njëvjeçar të gjeneralit Hammerstein ndërsa drejtorit në ardhje, gjeneralit Nawrat, i dëshiroi suksese dhe bashkëpunim të ndërsjellë në kuadër të mandateve respektive.

“Presidentja Osmani në këtë takim ritheksoi përkushtimin për maksimizimin e mundësive të bashkëpunimit Kosovë-NATO për zhvillimin dhe avancimin e mëtejmë të FSK-së me standardet më të larta të NATO-s, të gatshme dhe të ndërveprueshme me forcat aleate dhe partnere të NATO-s në misione të përbashkëta, krahas synimit tonë strategjik shtetëror drejtë anëtarësimit të plotë në NATO”- thuhet në njoftim.

Në takim, sipas njoftimit, u diskutua edhe për situatën aktuale të sigurisë në vend, me ç’rast presidentja Osmani ndër të tjera theksoi se NATO dhe KFOR-i kanë besueshmëri të lartë nga qytetarët e Kosovës në misionin për paqe dhe siguri në vendin tonë.