Prattipati për Rugovën: I mësoi botës se kurajoja dhe dinjiteti, jo dhuna- janë rrugët e vërteta drejtë lirisë

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka njoftuar për homazhet që e ngarkuara me punë, Anu Prattipati bëri te varri i ish-Presidentit Ibrahim Rugova, në 20 vjetorin e vdekjes së tij.

“Një vizionar paqeje, Dr. Rugova i mësoi botës se kurajoja dhe dinjiteti – jo dhuna – janë rrugët e vërteta drejtë lirisë”- thuhet në njoftimin e Ambasadës.

Prattipati ishte pjesë e organizimit të Presidentes Vjosa Osmani në homazhet te varri i Rugovës.

Presidentja Vjosa Osmani së bashku me familjen Rugova kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova, në 20-vjetorin e vdekjes së tij.

Osmani tha se vizioni i Rugovës mbetet udhërrëfyes për Kosovën.

“Presidenti Rugova e bëri bashkë gjithë popullin e Kosovës rreth kauzës për liri, pavarësi dhe demokraci, kauzë kjo që akoma është gjallë”- tha Osmani për media.

Bashkëshortja e Ibrahim Rugovës, Fana, falënderoi Presidenten Osmani për ceremoninë e homazheve që po organizohet nën patronatin e saj.

“Faleminderit Presidente për krejt këto që i ke organizuar për ditën e sotit”- tha ajo.

Homazhe te varri i Rugovës në Velani kanë bërë edhe diplomatët e huaj në Kosovë.

Në ditën e 21 të janarit 2006, vdiq presidenti i parë i Kosovës, Ibrahim Rugova.

Prej asaj date që mblodhi mijëra njerëz në nderim të tij, janë bërë plot 20 vite.

Kanë kaluar plot dy dekada që nga dita kur mijëra qytetarë u mblodhën për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Edhe sot, 20 vite më pas, ai mbetet një figurë monumentale në historinë e Kosovës; një lider që punoi pa u lodhur për Pavarësinë, të cilën fatkeqësisht nuk arriti ta shihte me sytë e tij.

Në 20 vjetorin e vdekjes së presidentit historik Ibrahim Rugova, nën organizimin e Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në orën 10:00 u organizuan.  Dy orë më pas, nën patronatin e Presidentes u mbajt Akademi Përkujtimore në Amfiteatrin e Bibliotekës Qendrore Universitare.

Ndaras prej Presidencës, në orën 11:00 partia e krijuar nga Rugova, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mbajti një tjetër akademi përkujtimore në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë.

Vitin e kaluar, vetura që para 20 vjetësh përdorej nga presidenti Ibrahim Rugova u pa përsëri në rrugë në përvjetorin e 19-të të vdekjes së tij, pasi presidentja Vjosa Osmani vendosi ta riparojë atë.

Nga kabineti i presidentes Vjosa Osmani për KALLXO.com thanë se vetura do të përdoret vetëm për raste solemne dhe do të ruhet në garazhin e Presidencës së Kosovës.

Më 15 mars të vitit 2005, teksa eskorta e ish-presidentit Rugova po lëvizte në këtë rrugë që tash quhet “Agim Ramadani” u bë atentat ndaj tij.Kur vetura në të cilën ndodhej Rugova erdhi pikërisht në atë vend, ndodhi një shpërthim.

Eksplozivi dyshohet se ishte vendosur në disa kontejnerë.Rugova i shpëtoi atentatit dhe më pas u takua në Prishtinë me ish-Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të Bashkimit Europian, Javier Solana.

Poashtu, në vitin e kaluar në ambientet e bibliotekës “Ervin Szabó” në Budapest, u inagurua një pjesë të kësaj biblioteke me emrin e ish-Presidentit Ibrahim Rugova.

Rugova vlerësohet si një nga figurat më të lartësuara të historisë së Kosovës.

Ai u lind më 2 dhjetor 1944 në fshatin Cerrcë të Istogut. Babai dhe gjyshi i Rugovës u vranë nga komunistët jugosllavë vetëm disa javë pas lindjes së tij, pak para përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Kur vdiq, ai u varros me nderime të larta shtetërore dhe ushtarake. Në përvjetorin e parë të vdekjes së Ibrahim Rugovës, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, e dekoroi Rugovën me Urdhrin “Hero i Kosovës”, titulli më i lartë në vendin tonë që u jepet figurave historike shqiptare dhe të Kosovës.

Pas një fëmijërie të vështirë, ai mbaroi shkollën në Istog dhe Pejë para se të diplomohej në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Në vitet 1976-1977, ai studioi në Paris në “Ecole Pratique des Hautes Etudes” nën mbikëqyrjen e Roland Barthes.

Në vitin 1988, ndërsa në ish-Jugosllavi shpërtheu konflikti politik, ai u zgjodh Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, gjë e cila i hapi atij rrugën për të qenë më i pranishëm në media si mbrojtës i të drejtave të shqiptarëve të Kosovës.

Më 23 dhjetor 1989 kur në ish-Republikën Socialiste Federative e Jugosllavisë mori fund sundimi monist i Lidhjes së Komunistëve, Rugova dhe një grup intelektualësh të tjerë shqiptarë të Kosovës themeluan një parti të re, Lidhjen Demokratike të Kosovës, LDK.

Ai u zgjodh kryetar i partisë në ditën e saj të parë, një post të cilin e mbajti për më shumë se 16 vjet deri në vdekjen e tij. Në maj të vitit 1992, shqiptarët e Kosovës organizuan një votim jozyrtar për një president dhe parlament, të cilin autoritetet e atëhershme serbe e shpërfillën.

Rugova u zgjodh president, por parlamenti i zgjedhur në këto zgjedhje nuk u bë kurrë funksional. Në vitin 1998, pati një raund tjetër zgjedhjesh që u kundërshtuan më shumë nga rivalët politikë për shkak të kohës.

Nën udhëheqjen e Rugovës, në zgjedhjet e para të lira të mbajtura në Kosovë, menjëherë pasi mbaroi lufta me Serbinë, në vitin 2000, LDK-ja fitoi shumicën dërmuese të komunave.

Rugova nuk mori pjesë në këto konfrontime ushtarake, duke këmbëngulur që në vend të kësaj të ndiqte një fushatë thjesht politike dhe paqësore për pavarësi.

Në fund të viteve 1980, si kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, ai kishte ngritur zërin për të drejtat e shqiptarëve në Kosovë, të cilët kishin gëzuar autonominë si një krahinë brenda federatës komuniste jugosllave – të cilën lideri i ri i Serbisë, Sllobodan Millosheviq ishte i vendosur ta shpërbënte.

Periudha më e vështirë për Rugovën do të vinte më pas. Kur NATO-ja filloi sulmet ajrore në përpjekje për ta detyruar Millosheviqin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova, në mars të vitit 1999, policia mësyu në shtëpinë e Rugovës, duke e vendosur atë dhe familjen e tij në arrest shtëpie në lagjen Velania të Prishtinës.

Tre ditë më vonë, ai u detyrua të shkonte në Beograd për të takuar Millosheviqin dhe të shfaqej në televizionin e kontrolluar nga shteti, duke shtrënguar duart me të, në një kohë kur Kosova ishte gjysmë e zbrazur nga njerëzit e saj, të cilët ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe ishin strehuar në Shqipëri dhe në Maqedoninë e Veriut të ditëve të sotme.

Pas më shumë se një muaj nën kontrollin e policisë serbe, Rugova dhe familja e tij u lejuan të shkonin në Itali në maj 1999. Kthimi i tij në Kosovë pas përfundimit të luftës, më 21 korrik 1999, u përshëndet nga mijëra mbështetës të tij në Prishtinë.

Në maj 2002, Rugova u përball përsëri me Millosheviqin, tani në një tjetër kapacitet. Dy muaj më herët, ai ishte zgjedhur si presidenti i parë i Kosovës pas zgjedhjeve të para parlamentare.

Vdiq në moshën 62-vjeçare.

20 vjet nga vdekja e liderit të Kosovës, Ibrahim Rugova