Policia zbardh detaje nga shpërthimi në tregun e kafshëve në Prizren, ku u lënduan 10 persona

Policia e Kosovës ka dhënë detaje për rastin e shpërthimit në tregun e kafshëve në Prizren ku u lënduan dhjetë persona.

Policia ka njoftuar se më datë 22 nëntor 2023, rreth orës 04:50, kanë marrë informacione për një ngjarje ku disa persona janë lënduar nga një mjet shpërthyes (lloji i panjohur aktualisht) te tregu i kafshëve në Prizren.

Nga informatat e para, 10 persona kanë pësuar lëndime. Të lënduarit janë dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit për trajtim mjekësor. Pas trajtimit, pesë prej tyre janë liruar për në shtëpi, ndërsa pesë të tjerë janë transportuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK.

Policia me të marr informacion ka dalë në vendngjarje ku dhe ka njoftuar prokurorinë kujdestare. Në vendngjarje kanë dalë edhe njësiti i hetimeve rajonale të Prizrenit, të cilët kanë mbledhur dëshmitë dhe kanë administruar provat.

Sipas policisë, fillimisht u dhanë informacione për tre persona të dyshuar, por me zhvillimin e hetimeve, janë identifikuar dy persona si kryes të veprës penale.

Ngjarja sipas njoftimi të Policisë dyshohet se ka filluar me një rrahje mes viktimave dhe të dyshuarve ku më pas të dyshuarit kanë hedhur një mjet shpërthyes.

“Pas një mosmarrëveshjeje te çastit ndërmjet tregtareve të kafshëve, fillimisht ka filluar një rrahje ndërmjet viktimave dhe te dyshuarve ku ne një moment të dyshuarit aktivizojnë dhe hedhin një mjet shpërthyes (lloji i panjohur për momentin)”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë zhvillimit të operacionit për gjetjen dhe ndalimin e tyre, policia e Kosovës ka kryer kontrolla edhe në komunën e Gjilanit.

Atje është lokalizuar i dyshuari R. M., i lindur në vitin 1982, i cili është shoqëruar në polici për procedura të mëtejshme hetimore. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai ndalohet për një afat prej 48 orësh.

Operacioni policor vazhdon në kërkim të personit të dytë të dyshuarit, dhe janë realizuar bastisje në shtëpinë e tij.

Policia Rajonale ne Prizren së bashku me Prokurorinë e Shtetit është duke punuar që të sqarohet në tërësi rasti i ndodhur te tregu i kafshëve në Prizren, ndërsa për të gjitha të gjeturat do të ju mbaj të informuar.