Plagoset një polic pas gjuajtjeve me armë nga të dyshuarit për grabitje

Një polic ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit pas gjuajtjeve që kanë ndodhur mëngjesin e sotëm me një grup të dyshuarish për grabitje në lagjen Veternik në Prishtinë.

“Rreth orës 05:30 është pranuar informata për një tentativë grabitjeje të një bankomati në një qendër tregtare në lagjen Veterniku në Prishtinë. Me të marrë informatën policia me shpejtësi ka dalë në vendin e ngjarjes dhe të dyshuarit për t’iu shmangur kapjes nga policia kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të zyrtarëve policor dhe për pasojë  kanë plagosur një zyrtar policor, i cili menjëherë është dërguar në QKUK për trajtimin e nevojshëm mjekësor”, ka bërë të ditur Agron Borovci, zëdhënës i Policisë për rajonin e Prishtinës.

“Aktualisht  policia është në vendin e ngjarjes dhe po kryen ekzaminimet e nevojshme si dhe po ndërmerr të gjitha masat policore për një hetim të detajuar  me fokus identifikimin e të dyshuarve, lokalizimin e vendndodhjes së tyre si dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të rasti”, ka thënë Borovci.