Plagosen paqeruajtës të OKB-së gjatë një shpërthimi në Liban

Kombet e Bashkuara thanë se katër vëzhgues të tij ushtarakë u plagosën më 30 mars, pas afër tyre pati një shpërthim në jug të Libanit, ku Izraeli dhe grupi militant, Hezbollah, shkëmbejnë zjarr në baza ditore në kufi.

Organizata për Mbikëqyrjen e Armëpushimit e OKB-së (UNTSO) nuk tregoi se cili ishte burimi i shpërthimit, por agjencia zyrtare e lajmeve në Liban fajësoi Izraelin.

“Mëngjesin e sotëm, katër vëzhgues ushtarakë të UNTSO-së, gjatë patrullimit në këmbë përgjatë Vijës së Kaltër [që demarkon kufirin me Izraelin] u plagosën pasi shpërtheu një granatë pranë vendndodhjes së tyre”, tha UNTSO-ja.

“Shënjestrimi i paqeruajtësve është i papranueshëm”, u tha në deklaratë, ku u shtua se paqeruajtësit janë dërguar në spital për tretman mjekësor.

Ndërkaq ka nisur një hetim për të kuptuar origjinën e shpërthimit.

“Të gjitha palët kanë përgjegjësi, sipas ligjit ndërkombëtar humanitar, që të shmangin shënjestrimin e personave joluftues, përfshirë paqeruajtësit, gazetarët, personelin mjekësor dhe civilët. Ne përsërisim thirrjen tonë ndaj të gjitha palëve që të ndalin shkëmbimet aktuale të ashpra para se më shumë njerëz të pësojnë”, tha UNTSO.

Izraeli ka këmbyer zjarr pothuajse në baza ditore me Hezbollahun e mbështetur nga Irani, që kur nisi luftën kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – në Gazë më 7 tetor, pasi Hamasi sulmoi Izraelin.

Hezbollahu, që ka një arsenal të fuqishëm të raketave, thotë se sulmet që kryen ndaj Izraelit janë në mbështetje të Hamasit.

Agjencia shtetërore e lajmeve në Liban tha se “avionët e armikut” kryen operacione në zonën Rmeish, në jug të Livanit, ku u plagosën vëzhguesit e UNTSO-së.

Si pasojë e zjarri ndërkufitar që nga tetori janë vrarë të paktën 347 persona në Liban, shumica luftëtarë të Hezbollahut, dhe të paktën 68 civilë. Ndërkaq, në anën izraelite janë vrarë dhjetë ushtarë dhe tetë civilë./REL