Foto: Blerim Berisha

Përurohen dy hapësira të gjelbra në rreth-rrotullimet e Prishtinës

Janë përuruar dy hapësira gjelbëruese në Prishtinë, tek dy rreth-rrotullimet në hyrje të Prishtinës nga lagjja Veternik.

Nënkryetari i Kryeqytetit, Alban Zogaj së bashku me Donika Çeta, drejtoreshë e Hapësirave Publike dhe Parqeve kanë përuruar hapësirën e re gjelbëruese të sapo krijuar në dy rreth rrotullime në hyrje të Prishtinës.

Nënkryetari Alban Zogaj deklaroi se po realizojnë premtimin e fushatës për Prishtinën e Gjelbër.

Zogaj përmes këtij deklarimi bëri të ditur se janë gjelbëruar 1 mijë hektarë hapësira në tërë qytetin.

“Jemi duke i punuar rrethet në hyrjet të qytetit. Siç kem i premtuat në kampanjë për Prishtinën e gjelbër dhe e kemi pas gjelbërimin si thelbësore, tani veç se keni filluar me i pa frytet, i kemi punuar këto rreth 1 mijë hektar hapësirë të re, është një formë tjetër e punës”

Zogaj theksoi se gjelbërimi në Prishtinë do të përmirësojë cilësinë e ajrit.

“Po i japim Prishtinës një pamje më të bukur dhe po e përmirësojnë cilësinë e ajrit. Po punohet në shumë lagje do ta hapim parkun edhe te Fakultetit Teknik, janë disa parqe që po punohen paralelisht” –tha ai.

Donika Çeta, drejtoreshë e Hapësirave Publike dhe Parqeve, tha se për këtë vit buxheti i ndarë për hapësirat e gjelbra është rreth 1.3 milion euro, raporton KALLXO.com.

“Këtë vit buxheti për hapësira të gjelbra dhe parqe në Prishtinë është 1.3 milionë euro” – shtoi Çeta.