Agim Aliu, kryetar i Komunës së Ferizajit nga dhjetori i vitit 2017.

Ferizaji mbjell qindra drunj e lule dekorative

Rreth 900 drunj dhe rreth 30 mijë lule dekorative u mbollën në Ferizaj nga viti i kaluar.

Kështu ka thënë për KALLXO.com drejtori i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Ferizajt Arben Halili.

Sipas tij një praktikë të njëjtë janë duke e vazhduar edhe përgjatë vitit 2019.

“Ne vitin 2018 janë mbjellur 900 drunj dekorativ  dhe rreth 30 mijë cope lule dekorative. Ne vitin 2019 deri tani janë mbjellë 90 drunj dekorativ. Ne pjesën e dyte te vitit priten të mbillen rreth 300 drunj dekorativ”, thuhet në përgjigje.

Tutje Haliti ka bërë të ditur se këta drunj janë mbjellë në lokacione të ndryshme dhe  përgjegjës për mirëmbajtën dhe për mbjelljen e drurëve është ndërmarrja publike ‘Ambienti’.

“Janë mbjellë ne rrugën Brahim Ademi, V. Gervalla, Ahmet Kaqiku,Sheshin ‘Hyre Emini’, si dhe në fshatrat, Greme ,Prelez, Dardani, Mirosalë, Bablakë, Terrn, Gaçkë, Balaj, Lloshkobare, Bibaj , Rakaj. Ndërsa përgjegjësia është e ndërmarrjes Publike ‘AMBIENTI’”, thuhet tutje në përgjigje.

Kryetari i tanishëm i Ferizajt, Agim Aliu në intervistën për #DebatPernime në Emisionin Jeta në Kosovë në vitin 2017-të, ishte pyetur për numrin e fidanëve që synonte të mbillte përgjatë mandatit të tij.

Aliu nuk ka thënë shifra të sakta për numrin e fidanëve mirëpo ka përmendur disa fshatra në të cilat planifikohet mbjellja e fidanëve.

“Nuk mund të flasim për sasinë, por unë po flas për projektet për faktin se tashmë kam një plan sesi do ta bëjë këtë, në disa prej fshatrave që kanë mundësi për mbledhjen e fidanëve të ndryshëm, shembull fshatin Rakaj dhe fshatin Prelez, apo cilat do fshatra që kanë hyrje në fshat, edhe në qytet do të mbjellim por unë nuk mund të përgjigjem me numër, po flas vetëm për një plan”, ka thënë ai.

KALLXO.com ka kërkuar nga Komuna e Ferizajt që të dijë se a është bërë mbjellja e fidanëve në hapësira publike apo private, dhe në bazë të përgjigjes së Komunës, shumica e fidanëve janë mbjellur në hapësira publike.

“840 drunj dekorativ të llojit Catalpa janë të mbjellura në hapësirat publike zakonisht nëpër oborre të shkollave dhe rreth rrugëve publike siç është fshati Rakaj, Prelez i Muhaxhëreve, Greme”, thuhet në përgjigje.