Prerja e druve rreth rrugës indinjon qytetarët e Pejës, reagon Komuna

Prerja e druve buzë rrugës afër Stacionit të Trenit në Pejë ka indinjuar qytetarët.

Ndaj këtij veprimi ka reaguar edhe organizata “Let’s do it Peja”, e cila merret me mbrojtjen dhe promovimin e një ambienti të pastër.

Ndërsa, Durim Sheremeti, këshilltari i kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka shpjeguar pse janë prerë drutë në këtë pjesë të qytetit.

“Është projekt i Ministrisë së Infrastrukturës. Gabimi këtu është që Ministria nuk e ka prezantuar projektin. Mirëpo, projekti në përfundim do të ketë më shumë gjelbërim sesa që ka pasur më herët”, tha Sheremeti.

Sipas këshilltarit të kryetarit Muhaxheri, nuk ka pasur mundësi që këto pemë të ruhen dhe se ato është dashur patjetër të hiqen në kuadër të projektit pas të cilit kjo pjesë do të bëhet më e gjelbëruara në qytet.