Përplasje mes deputetëve të pozitës dhe opozitës për "votimin e kontestuar" të Projektligjit për tekstet shkollore

Pretendimet e disa deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, se gjatë seancës plenare të mbajtur më 07.03.2024 nuk ka pasur kuorum për t’u  votuar në parim Projektligji për tekstet shkollore, kanë shkaktuar debat të ashpër në mbledhjen e Grupit punues të Komisionit për arsim, të mbajtur më 05.04.2024.

Deputetët e LVV-së, Visar Korenica dhe Eman Rrahmani pretendonin se atë ditë në sallë nuk kanë qenë 62 deputetë por vetëm 60, dhe rrjedhimisht projektligji nuk kishte kaluar.

Më 05.04.2024 në mbledhjen e grupit punues për këtë projektligj, ka qenë prezente edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci.

Debati ka nisur pas deklaratës së deputetit të PDK-së, Ardian Kastrati i cili tha se mbledhja duhet të shtyhet derisa të ketë vendim lidhur me verifikimin e votave.

Ai tha se ky ligj nuk ka kaluar në Kuvend sepse në votim kanë marrë pjesë vetëm 60 veta.

“Ju keni me u përballë me ketë deri në Gjykatë Kushtetuese dhe në fund ka me e rrëzu. Të bëhemi serioz- shtyjeni ketë mbledhje. Deputeti i juaj ka bërë kërkesë i ke videoincizimet. Duhet me të ardh turp me 60 vota me votu ligj”- është shprehur ai.

Kastrati insistoi që duhet të ketë vendim nga administrata e Kuvendit në mënyrë që të vazhdojnë me Grupin punues.

Edhe deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi tha se po kërkon vendimin e sekretarisë së Kuvendit lidhur me ankesat për numrin e votave.

“Si grup, unë nuk po e pengoj ketë komision, vetëm po kërkoj një vendim nga sekretaria ku janë bërë dy ankesa për seancën”- tha ajo.

Ndërsa ministrja Nagavci ka thënë se qëllimi i këtyre diskutimeve është pengimi punimeve për këtë ligj.

“Nëse keni komente për ligjin unë përgjigjem. Një ligj që nuk e keni bërë sa keni qenë vetë në Qeveri po doni me pengu edhe tash. 10 vjet s’e kenë bërë këtë ligj”- ka thënë ajo.

Deputetja e LVV-së, Arijeta Rexhepi tha se grupi punues po vazhdon punën në bazë të vendimit të Kuvendit.

“Vendimi tjetër kurdo që na vjen e shohim”- tha ajo.

Edhe kryetari i Komisionit, Ardian Gola tha se grupi punues duhet të punoj në bazë të konstatimit të kryetarit Glauk Konjufca për votimin e asaj dite.

“Në aspektin personal mu më shumë më obligon vendimi i kryetarit dhe jo një ankesë që e ka bërë një deputet, pa marrë parasysh kush është ai”- tha Gola.

Pas këtij diskutimi, deputetët e opozitës, Vlora Dumoshi(LDK), Ardian Kastrati(PDK) dhe Albena Reshitaj(AAK) e lëshuan mbledhjen e grupit punues.

“I kanë vjedh votat e parlamentit, me vota të vjedhta punojnë, ligji nuk i ka pas 60 vota. Jeni t’u i vjedh votat e Kuvendit”- ka thënë Kastrati derisa është larguar nga salla.

“Ato janë idetë tua. Nisesh prej vetes, por nuk janë krejt njerëzit si ti”- është kundërpërgjigjur deputetja e LVV-së, Arjeta Fejza.

Administrata e Kuvendit të Kosovës, në një përgjige për Kallxo.com ka hedhur poshtë pretendimet se gjatë seancës plenare të mbajtur më 7 mars 2024 nuk ka pasur kuorum për t’u  votuar në parim Projektligji për tekstet shkollore.

Në njërën prej seancave plenare, Korenica ka kërkuar shpjegime për këtë çështje edhe nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, por prej tij ka marrë vetëm udhëzimin që t’i drejtohej sekretarit të Kuvendit dhe Zyrës ligjore.

Si deputetët Korenica e Rrahmani, ashtu edhe Gramos Agusholli nuk kanë votuar për miratimin e këtij projektligji, ani pse thonë që nuk kanë problem me përmbajtjen e tij. Të tre e thonë haptas se nuk i votojnë projektligjet që sponsorohen nga Ministria e Arsimit, pa u plotësuar një kërkesë e tyre. Prej ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci, ata kërkojnë që ta shfuqizojë Udhëzimin Administrativ që e ndalon mbajtjen e uniformës fetare në shkolla, e që në publik më tepër interpretohet si bartje e mbulesës apo e shamisë.

Të indinjuar që Nagavci nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për ta ndryshuar këtë udhëzim tash e tri vjet, ata kanë vendosur ta kushtëzojnë jo vetëm votimin e Projektligjit për tekste shkollore por edhe cilitdo projektligj tjetër që përgatitet nga MASHTI.

Thonë se të njëjtin qëndrim me ta e kanë edhe disa deputetë të tjerë brenda Lëvizjes Vetëvendosje, por nuk parapëlqejnë të tregojnë se cilët janë ata. Për ta është e habitshme që një udhëzim i tillë nuk është ndryshuar deri më tani kur kundër nenit që e ndalon bartjen e uniformës fetare në shkolla ka qenë edhe vet Albin Kurti gjatë kohës sa ka qenë në opozitë.

“Rebelimi” brenda Vetëvendosjes: Qeveria kushtëzohet shkaku i moslejimit të shamisë në shkolla