Përfundon procesi i intervistimit të kandidatëve për kryeprokuror të PSRK-së dhe asaj të Prishtinës

Pesë kandidatë për pozitat e kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale dhe asaj të Prokurorisë së Prishtinës janë intervistuar gjatë ditës së djeshme.

Panelet vlerësuese për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, përbëhen nga pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe kryesohen nga Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

Këshilli Prokurorial ka njoftuar se janë intervistuar pesë kandidatë, të cilët aplikuan dhe të njëjtit janë konfirmuar për të hyrë edhe në procedurat e mëtejshme lidhur me këto dy pozita në sistemin prokurorial.

Kandidatët për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës janë prokurorët, si vijon: Atdhe Dema, Blerim Isufaj, Naim Abazi dhe Valdet Gashi, kurse kandidat për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është Zejnullah Gashi.

Sipas njoftimit të KPK-së, procesi i intervistimit të kandidatëve për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është monitoruar nga përfaqësues të Ambasadës Amerikane, Misionit për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX), Zyrës së BE-së në Kosovë, Programit të BE-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë (EUKOJUST) dhe shoqërisë civile.

‘’KPK-ja do t’i mbajë mediat dhe opinionin publik të informuar në vazhdimësi lidhur procedurat dhe procesin e mëtejshëm të përzgjedhjes së këtyre pozitave në sistemin prokurorial’’ – thuhet tutje në njoftim.

Këshilli Prokurorial i Kosovës në mbledhjen e jashtëzakonshme të mbajtur me 17 nëntor 2023, ka konfirmuar listat e kandidatëve të cilët kishin aplikuar për këto dy pozita. 

Ndërsa, në mbledhjen e mbajtur me 13 tetor 2023, Këshilli Prokurorial e kishte miratuar hapjen e konkursit për pozitat e Kryeprokurorit të Prokurorisë themelore dhe Speciale të Prishtinës.