Shpallet konkursi për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale dhe për Kryeprokuror të Themelores në Prishtinë

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka aprovuar fillimin e procesit të konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe pozicionin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Vendimi është marrë në mbledhjen e sotme të KPK-së, pasi që hapja e konkursit për dy postet më të larta në Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë ishte përfshirë në agjendën e takimit.

Për të vlerësuar aplikimet për pozitën e Kryeprokurorit të PSRK-së, KPK ka emëruar një panel vlerësues me anëtarët: Jetish Maloku, Ardian Hajdaraj, Besim Kelmendi, Arian Gashi dhe Agron Beka.

Në të njëjtin kohë, për Komisionin e Rishqyrtimit janë caktuar anëtarët: Jehona Grantolli, Ariana Shajkovci dhe Armend Zenelaj.

Ndërsa, për Komisionin e Vlerësimit të Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, KPK ka përzgjedhur këta anëtarë: Jetish Maloku, Ariana Shajkovci, Merita Bina-Rugova, Jehona Grantolli dhe Ardian Hajdaraj.

Gjithashtu, për Komisionin e Rishqyrtimit janë caktuar anëtarët: Agron Beka, Arian Gashi dhe Besim Kelmendi.

Aktualisht, Blerim Isufaj është personi që udhëheq Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), ndërsa Kujtim Munishi është kryeprokurori aktual i Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Blerim Isufaj u zgjodh si kryeprokuror i PSRK-së më 23 dhjetor 2019. Ai fitoi këtë pozitë me mbështetjen e 10 votave të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Njësoj, Kujtim Munishi gjithashtu u zgjodh si kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë në datën 23 dhjetor 2019.

Sipas rregullores për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe Kryeprokurorëve të Prokurorive të Republikës së Kosovës, KPK bën publik konkursin për emërimin e kryeprokurorëve të prokurorive të tjera, së paku 60 ditë para mbarimit të mandatit të kryeprokurorëve aktualë.

Në agjendën e Këshillit Prokurorial të Kosovës për ditën e sotme, është paraparë edhe themelimi i Panelit Vlerësues dhe Komisionit për Rishqyrtim për emërimin e kryeprokurorëve, si dhe shpallja e njoftimit për pensionimin e prokurorëve gjatë muajit nëntor të vitit 2023.

Gjithashtu, në agjendën e ditës janë përfshirë edhe çështje të tjera.