Gjykimi për drogë, munguan disa të akuzuar - njëri u bë e ditur se ka vdekur
Në Gjykatën e Prishtinës, në Departamentin Special, për shkak të mungesës së disa prej të akuzuarve ka dështuar të mbahet seanca e rigjykimin në rastin ndaj shtatë personave që akuzohen për krim të organizuar në lidhje me kontrabandim të narkotikëve.
Në këtë rast të akuzuar janë: Hajdin Hoxha, Fehmi Veseli, Avni Mehana, Nehat Haliti, Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Miftari. I akuzuar ka qenë edhe Muhamet Maxholli, por që gjykata sot bëri të ditur se i njëjti ka ndërruar jetë.
Arsyeja e dështimit të seancës ishte mungesa e të akuzuarve Fehmi Veseli, Avni Mehana dhe Ibrahim Miftari.
Për të akuzuarit Fehmi Veseli dhe Avni Mehana gjykata konstatoi se të njëjtit nuk gjenden në adresat e dhëna. Ndërkaq për të akuzuarin Ibrahim Miftari gjykata bëri të ditur se i njëjti nuk ka qenë i qasshëm në momentin kur është tentuar të i dorëzohet ftesa e gjykatës.
Fehmi Veseli, Avni Mehana dhe Ibrahim Miftari secili veç e veç ishin dënuar me nga 7 vite burgim edhe 2 mijë euro gjobë nga shkalla e parë.
Për të akuzuarit e lartcekur gjykata bëri të ditur se do të urdhëroj sjellje me detyrim.
Ndërkaq përveç mungesës së të akuzuarve një kusht tjetër ligjor që nuk u plotësua për mbajtjen e seancës ishte edhe mungesa e avokatit Bajram Rexhepi për të cilin gjykata do të caktoj avokat sipas detyrës zyrtare pas kërkesës së të njëjtit.
Rasti në fjalë po trajtohet nga trupi gjykues i Departamentit Special me kryesues Rrahman Beqiri dhe me anëtarët Lutfi Shala dhe Ngadhnjim Arrni. Ndërkaq aktakuzën po e përfaqëson prokurori special Naim Abazi.
Në këtë rast të akuzuar kanë qenë 12 persona, ndërsa tani procedura e rigjykimit po zhvillohet vetëm ndaj 6 prej tyre.
Kjo pasi rasti është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me aktgjykimin e datës 25.07.2019. Kolegji i Apelit që ka trajtuar rastin përbëhej prej kryetarit Vaton Derguti, dhe anëtarët Driton Muharremi dhe Kreshnik Radoniqi.
Gjykata e Apelit kishte vendosur që aktgjykimi i shkallës së parë të vërtetohet sa i përket Fehmi Smakiqit, Tahir Tahirit, Tafil Zeqirit si dhe Florim Zenelit.
Kurse për të akuzuarit Muhamet Manxholli, Hajdin Hoxha, Avni Mehana, Nehat Haliri, Fehmi Veseli, Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Miftari rasti u kthye në rigjykim.
Më datë 08.01.2019 Gjykata e Mitrovicës kishte shpallur aktgjykimin për 12 të akuzuarit të cilët i ka dënuar me gjithsej 54 vjet dënim me burgim. Vendim ky i marrë nga gjyqtari Burim Ademi.
Përmes këtij aktgjykimi të shkallës së parë Muhamet Manxholli ishte dënuar me nëntë vite burgim dhe 2 mijë euro gjobë. Me nga 7 vite e gjashtë muaj burgim dhe nga 2.000 euro dënim me gjobë janë dënuar të akuzuarit Hajdin Hoxha, Fehmi Veseli, Avni Mehana, Nehat Haliti, Bajram Rexhepi dhe Ibrahim Miftari.
Fehmi Smakiqi ishte liruar nga akuzat në mungesë të provave.
Për të akuzuarin Florim Zeneli pas rikualifikimit të veprës penale, Gjykata e ka shpallur fajtor për veprën penale – kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe e ka dënuar në kohëzgjatje prej 1 vit e 6 muaj burgim.
Kurse të akuzuarit Tafil Zeqiri dhe Tahir Tahiri janë shpallur fajtorë e janë dënuar me dënim me kusht për veprën penale – tregtia e ndaluar.
Për këtë rast gjithashtu janë konfiskuar edhe substancat narkotike në sasi prej 23.277 kg.
Dosja e Prokurorisë
Prokuroria Speciale e Kosovës pretendon se nga dhjetori i vitit 2013 deri në prill të vitit 2014, personat e lartëcekur, duke vepruar si grup i organizuar dhe në bashkëpunim më të dyshuarin Lutfi Peca dhe një person tjetër të quajtur Faik, të dy nga Kukësi i Shqipërisë, kanë poseduar, blerë e shitur substanca narkotike të llojit marihuanë.
Kurse, pas një kontrolli policor të bërë në dhjetor të vitit 2013 në veturën “GOLF 2” pronë e të pandehurit Ibrahim Miftari, i cili njëkohësisht kishte qenë edhe duke e drejtuar atë ishte gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike e llojit marihuanë në sasi prej 9 kilogramë e 993.7 gramë, thuhet në dosjen e Prokurorisë.
Sipas akuzës në veturën e të pandehurit Ibrahim Miftari kishte qenë edhe i pandehuri tjetër Nehat Haliti. Sasinë e narkotikut të gjetur në veturë, akuzohet se e kishte blerë Muhamet Manxholli nga i pandehuri tjetër Avni Mehana.
Manxholli ishte zënë në të njëjtën kohë dhe vend me veturën e tij SUZUKI duke përcjellë veturën GOLF II në të cilën edhe kishte qenë i vendosur narkotiku.
Ndërsa në shkurt të vitit 2014, po ashtu gjatë një kontrolle të Policisë së Kosovës në rrugën magjistrale Mitrovicë-Ulqin, në afërsi të fshatit Koshtovë të Mitrovicës, në veturën e të pandehurit Hajdin Hoxha dhe me të kishte qenë edhe i pandehuri tjetër Fehmi Veseli, ishin gjetur dhe sekuestruar narkotikë të llojit marihuanë në sasi 4 kg e 0.84gr.
Gjithashtu, sasi e narkotikut të po të njëjtit lloj, por në sasi prej 9 kg e 200gr., ishte gjetur edhe pas kontrollit në veturën e të pandehurit Bajram Rexhepi në veri të Mitrovicës.
“Gjithë kjo sasi e narkotikut ishte blerë me qëllim të shitjes nga i dyshuari Lutfi Peca nga Kukësi i Shqipërisë, i cili dyshohet se është organizator dhe udhëheqës i këtij grupi kriminal”, thuhet në aktakuzë.
KALLXO kishte raportuar në vazhdimësi për këtë proces gjyqësor.
Rrëfime interesante për tregtinë e drogës në mes shqiptarëve e serbëve të veriut
Gjykimi kundër 12 të akuzuarve për drogë dhe krim të organizuar
Kurse në nëntor të vitit 2015 në emisionin “Drejtësia në Kosovë” u transmetua hulumtimi që tregonte se si neglizhenca e Prokurorisë rezultoi me lirimin e veturave të disa prej tashmë të dënuarve në këtë rast.