Kuvendi i Kosovës. Foto:KALLXO.com
PDK i merr një ulëse LDK-së: Hyn Haxhiu, del Hadërgjonaj
Partia Demokratike e Kosovës ka fituar një ulëse më shumë sipas përditësimit të fundit të rezultateve zgjedhore nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
PDK-së iu shtua një mandat, me ç’rast Bekim Haxhiu nga kjo parti fiton ulësen në Kuvend.
Mandatin e 23-të, PDK e merr nga Lidhja Demokratike e Kosovës, me ç’rast kandidati Fadil Hadërgjonaj mbetet jashtë.
KQZ po përditëson të dhënat nga zgjedhjet dhe aktualisht rezulton se janë numëruar 98.10% e votave, derisa po vazhdon numërimi i votave me kusht.
Sipas rezultateve të deritashme, LVV merr 57 ulëse në Kuvend, PDK 23, LDK 14, AAK 6, Lista Serbe 9, KDTP 2, Za Slobodu Pravdu i Opstanak 1, Koalicija Vakat 1, NDS 1, IRDK 1, SDU 1, PLE 1, PSA 1, JGP 1, LPRK 1.
Pjesëmarrja në zgjedhje sipas KQZ ka qenë 45.03% apo 900 mijë e 330 votues nga 1 milion e 999 mijë e 204 votues në Listën Votuese.
Numri i qytetarëve me të drejtë vote në vendvotime në Kosovë ishte 1,999,204 votues, ndërkaq numri i qytetarëve që janë regjistruar për të votuar jashtë Kosovës ishte 77,086.
Procesi zgjedhor brenda vendit u zhvillua në 948 Qendra të Votimit, me gjithsej 2,614 vendvotime, prej të cilave 910 qendra me 2,557 vendvotime për votimin e rregullt dhe 38 qendra, nga një për çdo komunë, me 57 vendvotime për të mundësuar votimin me kusht.
Votimi në 29 përfaqësi diplomatike, në gjithsej 18 shtete ka ndodhur më 27 dhjetor.
Procesi zgjedhor jashtë Kosovës u organizua në 16 ambasada dhe 13 konsullata të Kosovës që janë të vendosura në 18 shtete të ndryshme, sipas të dhënave të KQZ-së. Atje patën të drejtë vote, 19,187 votuesit e regjistruar në 29 përfaqësi diplomatike.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka shpërndarë Kuvendin e Kosovës më 20.11.2025, pasi Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë qeverinë edhe pse zgjedhjet parlamentare ishin mbajtur më 09.02.2025.
Presidentja e kishte shpallur 28.12.2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
Të dhënat e numërimit mund të qasen në këtë vegëz.