Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas ankesës së BIRN dhe IKS, PZAP dënon me 650 euro gjobë Iniciativën Qytetare për Obiliqin

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka njoftuar se ka gjobitur me 650 euro subjektin politik Iniciativa Qytetare për Obiliqin pas ankesës së BIRN dhe Internews Kosova.

Iniciativa Qytetare për Obiliqin e Xhafer Gashit, me seli në Obiliq është gjobitur për shkak të shkeljes së Kodit të Mirësjelljes për Subjektet Politike, Mbështetësit e tyre dhe Kandidatët, me rastin e thyerjes së heshtjes zgjedhore përmes rrjeteve sociale, për Zgjedhjet Lokale të datës 17 tetor 2021.

Në arsyetimin e ankesës të PZAP thuhet se Burim Gerguri kandidat për Kuvend Komunal nga radhët e subjektit politik Iniciativa Qytetare për Obiliqin në ditën e zgjedhjeve ka sponsorizuar në rrjetin social “Facebook”, dy postime me anë të cilave ka kërkuar nga qytetarët ta votojnë duke ndikuar kështu në mënyrën e votimit.

Sipas PZAP-së, subjekti politik Iniciativa Qytetare për Obiliqin, i ka kundërshtuar pretendimet e ankuesit duke thënë se nuk ka pasur shkelje apo tentim për të thyer heshtjen zgjedhore.

Në mbështetje të pretendimeve BIRN dhe Internews Kosova ka bashkangjitur si dëshmi fotografi të printuar të shkeljes së sponzorizuar.

PZAP-ja e ka cilësuar si të bazuar ankesën e BIRN dhe Internews Kosova.

Subjekti politik Iniciativa Qytetare për Obiliqin  ka afat prej 15 ditësh të paguajë këtë gjobë.

Këtu mund ta gjeni vendimin e plotë.