Bexhet Xheladini: Vendimi i PZAP-së për Dragashin është skandaloz

Kandidati për kryetar të Dragashit nga radhët e LDK-së, Bexhet Xheladini, ka thënë se vendimi i PZAP-së që të anulohen votat me postë në Dragash është skandaloz.

Ai në konferencën e LDK-së tha se pas dorëzimit të ankesës në Gjykatën Supreme, pret të shpallet kryetar i kësaj komune.

“Ne kemi përgatitur dosje që i kemi dërguar në Gjykatën Supreme. Aty janë futur të gjitha provat që vërtetojnë se procesi ka qenë i rregullt. Gjithashtu kemi edhe dosje të gjerë se vendimi i PZAP-së ka qenë skandaloz. Presim që brenda 72 orëve të shpallem kryetar i Dragashit”, tha Xheladini.

Bexhet Xheladini ka qenë në garë me kandidatin e PDK-së Shaban Shabani.

Lidhja Demokratike e Kosovës në një konferencë për media bëri të ditur se kanë dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e votave me postë në garën e balotazhit për kryetar të komunës së Dragashit.

Në bazë të vendimit të PZAP-së gjatë ditës së djeshme, janë anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve në Dragash dhe po të njëjtat nuk u përfshinë me rastin e shpalljes së rezultatit përfundimtar.

Nëse merren parasysh votat me postë atëherë kryetar do të shpallet Bexhet Xheladini i LDK-së ndërsa nëse këto vota anulohen atëherë kryetar do të mbetet Shaban Shabani i PDK-së.

LDK ankohet në Supreme ndaj vendimit të PZAP-së për anulim të votave me postë në Dragash