Ilustrim. Foto: Atdhe Mulla
PZAP refuzon ankesën e LVV-së për rinumërim të votave në disa vendvotime në Prizren (DOKUMENT)
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) e ka refuzuar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) kundër vendimit të Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për shpalljen e rezultateve përfundimtare për rundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetar të Prizrenit.
Sipas vendimit të PZAP-së, është refuzuar e pabazuar pjesa e ankesës ku është kërkuar nga LVV që 22 vendvotime dhe qendra e votimit në fshatin Hoqë e Qytetit të anulohet rezultati i publikuar dhe të urdhëroi KQZ-në ta organizojë rivotimin, ‘si shkak i diferencës së daljes së votuesve për të votuar dhe fletëvotimeve në kutit e votimeve”.
Ndërkaq, është hudhur si e pasfatshme pjesa që LVV pretendon për parregullsitë e paraqitura gjatë ditës së votimit më 14 nëntor 2021.
Ankesa në lidhje me procesin zgjedhor për ditën e votimit, mund të paraqitet në PZAP brenda 24 orëve nga momenti i mbylljes së qendrës së votimit, përndryshe, konsiderohet e pasfatshme.
Kundër këtij vendimi është e lejuar ankesa në Gjykatën Supreme brenda 24 orësh nga momenti i pranimit të këtij vendimi.
Vendimin e plotë të PZAP-së mund ta lexoni në këtë LINK.
Zgjedhjet në Prizren më rund të dytë i ka fituar Shaqir Totaj i Partisë Demokratike të Kosovës.
Në këtë komunë, në balotazh ishte Totaj me Mytaher Haskukën nga Lëvizja Vetëvendosje.