Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

LDK e quan skandaloz vendimin e PZAP-së për votat e diasporës në Dragash

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e ka quajtur skandaloz, vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), për anulimin e komplet votave të diasporës për komunën e Dragashit.

Përmes një komunikate për media, LDK-ja e ka quajtur vendim të paprecedentë dhe ka thënë se PZAP po tenton të ndryshojë vullnetin qytetar.

“LDK, vlerëson se gjithë procesi i regjistrimit dhe votimit të qytetarëve tanë nga jashtë vendit, bazuar edhe në vendimet e KQZ-së, është zhvilluar brenda afateve dhe në përputhje të plotë me dispozitat ligjore dhe rregullat e KQZ. Prandaj, ky proces, procesi i votimit përmes postës, nuk është kontestuar në asnjë fazë të zhvillimit të tij nga askush dhe është vlerësuar plotësisht i ligjshëm edhe nga KQZ i cili ka proceduar me pranimin, verifikimin dhe numërimin e këtyre votave në përputhje me procedurat e parapara ligjore”, thuhet në reagimin e LDK-së.

Tutje, LDK ka thënë se PZAP-i nuk e ka marrë mundin dhe përpjekjen për t’i kontaktuar qytetarët në mërgatë, ndërsa ka paralajmëruar ankesë në Supreme.

“LDK do të ankohet në Supreme e në rast të nevojës dhe në Kushtetuese. Betejat politike të fituara me votë s’mund të transferohen në tavolinë. Duam të besojmë se Supremja do të korrigjoj këtë skandal të ri në vend”, thuhet në fund të reagimit të Lidhjes Demokratike.

Sot, Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur që të anulojë të gjitha votat e diasporës për komunën e Dragashit, me arsyetimin se është evidentuar se zarfet e votave janë të mbishkruara nga i njëjti person.

LDK nuk e fiton Dragashin, PZAP anulon fletëvotimet e dërguara me postë në komunën e Dragashit (DOKUMENT)