LDK ankohet në Supreme ndaj vendimit të PZAP-së për anulim të votave me postë në Dragash

Lidhja Demokratike e Kosovës ka njoftuar se ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për anulimin e votave me postë në garën e balotazhit për kryetar të komunës së Dragashit.

Zëdhënsja politike e LDK-së, Sibel Halimi, tha se PZAP po tenton të ndryshojë vullnetin e qytetarëve.

“Siç jeni të informuar sot KQZ ka shpallur rezultatet përfundimtarë për kryetarë të komunave në balotazhin e 14 nëntorit . Mirëpo në këto rezultate nuk figuron edhe Dragashi, andaj sot LDK ka dorëzuar ankesë në Gjykatën Supreme për vendimin skandaloz të PZAP-së dhe tre gjyqtareve të saj që kanë provuar të ndryshojnë vullnetin qytetarë të mërgatës së Dragashit”, tha Halimi.

Halimi shtoi se këto vota janë verifikuar e certifikuar në dy runde, ku ishin verifikuar si të rregullta.

“Kujtojmë se të gjitha këto vota ishin marrë parasysh dhe ishin bërë pjesë e certifikimit të rezultateve në rundin e parë nga KQZ. Ato ishin verifikuar, hapur, numëruar e pranuar si të rregullta nga KQZ edhe në rundin e dytë. Anulimi i tyre është përpjekje anti-demokratike për përmbysje të rezultatit zgjedhor nga kutitë e votimit në tavolinë”, shtoi Halimi.

Sibel Halimi e cila ka qenë kandidate për kryetare të Ferizajt nga radhët e kësaj partie potencoi se kanë dorëzuar mbi 200 dëshmi e argumente të votuesve.

“LDK ka dorëzuar sot mbi 200 dëshmi të votueseve të Dragashit në mërgatë për votat e tyre në rundin e dytë, po ashtu ka dorëzuar edhe gjithë dosjen e argumenteve për mbrojtjen e rezultatit dhe vullnetit qytetar”, tha Halimi.

Gjithashtu Halimi u shpreh se veprimin e tre gjyqtarëve të PZAP-së do e adresojë edhe tek misionet ndërkombëtare që monitoruan zgjedhjet.

“LDK beson se sistemi zgjedhor në Kosovë do të mbrohet nga Gjykata Supreme, veprimin e  tre gjyqtarëve të PZAP-së do ta adresojmë edhe tek misionet ndërkombëtare për monitorim të zgjedhjeve si sulm i paprecendentë ndaj standardit të lartë të demokracisë në vend”, tha Halimi.

Në bazë të vendimit të PZAP-së gjatë ditës së djeshme, janë anuluar të gjitha fletëvotimet e dorëzuara përmes postës për raundin e dytë të zgjedhjeve në Dragash dhe po të njëjtat nuk u përfshinë me rastin e shpalljes së rezultatit përfundimtar.

LDK nuk e fiton Dragashin, PZAP anulon fletëvotimet e dërguara me postë në komunën e Dragashit (DOKUMENT)