Foto-ilustrim

Paraburgim për të dyshuarin për sulmin ndaj policëve në veri më 2021

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit M.A., i cili nga Prokuroria Speciale po dyshohet për sulm ndaj personit zyrtare dhe për armëmbajtje pa leje.

Gjyqtari i procedurës paraprake kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa  e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji, thuhet në njoftimin e Gjykatës.

M.A. është arrestuar dje dhe po dyshohet për sulmin kundër pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në veri të vendit, sulm që ka ndodhur vitin e kaluar, e ku ishte plagosur kapiteni Besart Ahmeti.

Kjo plagosje kishte ndodhur gjatë protestave të qytetarëve serbë në veri të Mitrovicës, kundër një aksioni të Policisë së Kosovës kundër kontrabandës.

Policia e Kosovës, më saktësisht njësitë speciale, në atë kohë kishin ndërhyrë edhe me autoblinda në mënyrë që ta ndante turmën e njerëzve.

Në këto protesta të dhunshme ka pasur edhe të lënduar të tjerë nga radhët e Policisë edhe të protestuesve si dhe sulme ndaj gazetarëve.

Gjatë këtyre incidenteve janë përdorur mjete të forta kundër policëve si dhe janë dëgjuar të shtëna armësh e shpërthime granatash.