Foto: Presidenca e Kosovës

Osmani takon të ngarkuarën me punë të SHBA-së, flet për partneritetin strategjik dhe anëtarësimin në NATO

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur në takim të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, me të cilën ka diskutuar për vizitën e saj të fundit në SHBA, zhvillimet politike në vend dhe çështje të tjera me interes të përbashkët.

Sipas njoftimit të Presidencës, në takimin që u zhvillua sot më 26.02.2026 është biseduar për takimet që Osmani ka zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, si dhe për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

Presidentja ka shprehur mirënjohje për ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, që Kosova të jetë shtet bashkëthemelues i Bordit të Paqes, si dhe për garancat e dhëna për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Osmani ka rikonfirmuar “përkushtimin e Kosovës për angazhim dhe kontribut të vazhdueshëm”, duke e cilësuar partneritetin me SHBA-të si thelbësor.

Sipas njoftimit, Osmani ka veçuar edhe takimin me Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, duke theksuar se diskutimet janë fokusuar në avancimin e partneritetit strategjik Kosovë–SHBA, me theks në sigurinë rajonale, diplomacinë, ekonominë dhe mbrojtjen.

Presidentja ka ritheksuar rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane dhe të aleatëve në kuadër të NATO si “faktor kyç për stabilitetin”, duke shtuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO mbetet objektiv strategjik për paqe afatgjatë.

Në takim është nënvizuar edhe rëndësia e vijimit të dialogut strategjik bilateral, ndërsa Osmani ka theksuar se “partneriteti me SHBA-të është interes jetik dhe ekzistencial për Republikën e Kosovës”.

“Gjatë takimit u diskutua edhe për zhvillimet e fundit politike në vend, me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve.” – thuhet në njoftimin për media.

Tutje u njoftua se Presidentja Vjosa Osmani ka vënë në pah përmirësimet në veri të vendit, duke iu referuar raporteve të fundit të Policisë së Kosovës për vitin 2025. Sipas njoftimit, këto të dhëna konfirmojnë “një situatë dukshëm më të qetë dhe më të sigurt për të gjithë qytetarët” në atë pjesë të Kosovës.

Osmani kishte udhëtuar për në SHBA më 18.02.2026 për të marrë pjesë në takimin inaugurues të Bordit të Paqes.

Ky takim zhvillohet në kohën kur kanë mbetur edhe shtatë ditë afat kushtetues për ta zgjedhur presidentin e ri të Kosovës, post ky që aktualisht mbahet nga Vjosa Osmani, e cila publikisht ka pranuar se e synon edhe një mandat të dytë në krye të vendit.

Ky është takimi i disatë nga fillimi i vitit 2026. Presidentja Osmani është takuar me Anu Prattipatin, të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 29.01.2026. Sipas njoftimit, presidentja Osmani bashkë me Prattipatin diskutuan për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes si dhe për zhvillimet e fundit në vend.

Një takim tjetër mes Prattipatit dhe presidentes Osmani ka ndodhur edhe më 12.02.2026. Siç njoftoi Presidenca, ato diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, “me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve”. Gjatë këtij takimi u diskutua gjithashtu për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për hapat e mëtejmë në këtë drejtim.

Vjosa Osmanit i skadon mandati i presidentes më 05.04.2026. Ajo ishte zgjedhur presidentja e gjashtë me radhë që nga paslufta më 04.04.2021. Në votim kanë marrë pjesë 82 deputetë. Me 71 vota për në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar. 11 vota ishin të pavlefshme.