Osmani takohet me Prattipatin, flasin për zhvillimet e fundit politike në vend

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me të ngarkuarën me punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati.

Siç njofton Presidenca, ato diskutuan për zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, “me theks në rëndësinë e përmbylljes së proceseve kushtetuese dhe konsolidimit të plotë institucional, në funksion të stabilitetit demokratik, zhvillimit të vendit dhe adresimit të nevojave të qytetarëve”.

Gjatë këtij takimi u diskutua gjithashtu për rolin e Kosovës në Bordin e Paqes, si dhe për hapat e mëtejmë në këtë drejtim.

“Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e palëkundur të Republikës së Kosovës për linjëzim të plotë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në përputhje me interesat strategjike të vendit, si dhe për thellimin e vazhdueshëm të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve”- thuhet në komunikatën e Presidencës së Kosovës.