Osmani takon Lajçakun në Turqi, flasin për zgjedhjet në veri e takimin e fundit në Bruksel për dinarin

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është takuar me emisarin e Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Takimi është realizuar në kuadër të Forumit Diplomatik të Anatalisë në Turqi.

Emisari i BE-së për dialogu, Lajçk ka bërë të ditur përmes një postimin në “X” se gjatë takimit me presidenten Osmani ka biseduar edhe për zgjedhjet në veri, por edhe takimin e fundit në Bruksel që Lajçak pati me përfaqësues të Kosovës e Serbisë për rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), që përcakton se valuta e vetme për pagesa në Kosovë është Euro-ja, duke prekur kështu dinarin serb, me të cilën valutë kanë kryer pagesa serbët lokalë në vend.

“E vlerësoj të dobishme bisedën me Vjosa Osmanin, Presidente e Republikës së Kosovës, në margjinat e ‘ADF2024’. Diskutuam për zhvillimet e fundit në dialog, në veçanti për zgjedhjet në veri të Kosovës dhe takimin e fundit që prita në Bruksel”- ka shkruar Lajçaku.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani  ka udhëtuar për në Turqi për të marrë pjesë në Forumin Diplomatik të Antalisë, me ftesë të presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan.

Emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime me përfaqësues nga Kosova dhe Serbia, për të diskutuar për Rregulloren e Bankës Qendrore të Kosovës pë çështjen e dinarit, më 27.02.2024.

Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme.

Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Në anën tjetër, qytetarët e 4 komunave në veri përmes nënshkrimeve të tyre po kërkojnë që të shkarkohen katër kryetarët e komunave, të cilët janë shqiptarë. Faza e shkarkimit të tyre po shqyrtohet sipas afateve ligjore në KQZ, pas peticioneve të mbajtura në këto komuna.

Çështja e kryetarëve u përcoll me trazira në veri më 2023, të cilat kulmuan me sulmin në Banjskë të Zveçanit më 24.09.2024, ku një grup i armatosur serb në krye me Millan Radoiçiq atë kohë nëkryetar i Listës Serbe, tashmë i kërkuar në Interpol, kreu sulm mbi Policinë e Kosobës dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku.