Bruksel, Foto: Denis Sllovinja
BQK deklarohet pas takimeve në Bruksel për dinarin: U ngritën disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët serbë
Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me një njoftim pas takimeve që kanë zhvilluar në Bruksel me emisarin e Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak dhe me përfaqësues të Serbisë.
BQK thotë se gjatë këtij takimi, delegacioni i lartë i BQK-së ka informuar dhe paraqitur argumentet lidhur me Rregulloren për Operacione me Para të Gatshme.
Sipas BQK-së, autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja.
“Autoriteti kushtetues dhe ligjor i BQK-së dhe rregullimi i vendosur nga BQK-ja nuk u vu në diskutim apo kontestua nga BE-ja, megjithatë janë ngritur disa brenga për ndikimin e mundshëm te qytetarët tanë të komunitetit serb. Ndaj edhe është vlerësuar e nevojshme pjesëmarrja për të dhënë sqarime të duhura lidhur me këto shqetësimet si dhe argumentuar praktikisht mundësitë ligjore dhe teknike ekzistuese të transferimit të mjeteve financiare”- thuhet në komunikatë.
Në njoftim bëhet e ditur se BQK-ja ka elaboruar në detaje zgjidhjet e mundshme teknike të transferimit të mjeteve përmes kanaleve bankare dhe me transparencë, për të fasilituar në zgjedhjen e opsionit më të lehtë për procesin e transferimit të mjeteve në llogaritë e përfituesve (në euro), në pajtim me rregullativën ligjore në fuqi.
Më tej, BQK-ja thekson se pas këtij takimi, me sugjerimin e BE-së, janë takuar edhe me delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë.
“Delegacioni i BQK-së pas këtij takimi, me sugjerimin dhe nën organizimin e BE-se takoi edhe delegacionin teknik të Ministrisë se Financave të Serbisë, ku brenda mandatit të saj paraqiti dhe diskutoi opsionet e paraqitura nga BQK-ja dhe u argumentua mundësia dhe lehtësia e realizimit të tyre në praktike nëse një vullnet i tillë ekziston nga pala dërguese, pa asnjë ndryshim të kornizës ligjore në fuqi”—thuhet në njoftimin e BQK-së.
Rregullorja e Bankës Qendrore e cila e përcakton euron si valutë të vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme në Kosovë, ishte temë kryesore në kuadër të takimit Kosovë-Serbi që u mbajt më 27.02.2024 në Bruksel.
Emisari i Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, ka zhvilluar takime të ndara me palët nga Kosova dhe Serbia. Më pas është zhvilluar edhe një takim trepalësh.
Më 01.02.2024, në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.
Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, të cilët bëjnë pagesa e paguajnë me dinarë. Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në. SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.
Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.
Mirëpo, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka refuzuar ftesën për të shkuar në Bruksel, pasi nuk ishte që çështja e dinarit serb të ishte pjesë e dialogut.