Osmani priti në takim ambasadorin e ri të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur dje në takim njoftues Ambasadorin e ri të Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk.

Sipas një komunikate për media, gjatë takimit, Osmani shprehu mirënjohje për partneritetin e gjatë dhe të qëndrueshëm që OSBE-ja ka ndërtuar me institucionet dhe qytetarët e Kosovës.

“Ajo theksoi rolin kyç që ky mision ka luajtur në forcimin e demokracisë, promovimin e qeverisjes së mirë dhe avancimin e sundimit të ligjit në vendin tonë. Në takim, Presidentja Osmani ritheksoi përkushtimin e Kosovës për bashkëpunim të ngushtë me OSBE-në në procesin e reformave, transparencës institucionale dhe të drejtave të njeriut”-thuhet në komunikatë.

Më tej, në kumtesë thuhet se Osmani theksoi se pret që OSBE-ja do të vazhdojë t`i mbështesë prioritetet kyçe të Kosovës, përfshirë barazinë gjinore dhe përkrahjen e grupeve të margjinalizuara.