Foto: OSBE
OSBE mbështet thirrjen e liderëve fetarë kundër gjuhës së urrejtjes në fushatën zgjedhore
Misioni i OSBE-së në Kosovë ka mirëpritur deklaratën e përbashkët të udhëheqësve fetarë në Kosovë, të cilët u bënë thirrje partive politike që ta mbajnë fushatën zgjedhore larg gjuhës së urrejtjes, sulmeve dhe dezinformimit.
Në reagimin e OSBE-së thuhet se fakti që përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, Kishës Ortodokse Serbe, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike kanë folur “me një zë”, përbën një kontribut të rëndësishëm dhe në kohën e duhur për klimën publike në Kosovë, sidomos në prag të fillimit të fushatës zgjedhore.
“Misioni e mbështet plotësisht qëndrimin parimor të paraqitur nga udhëheqësit fetarë”- thuhet në reagimin e datës 29.05.2026.
OSBE-ja ka rikujtuar gjithashtu rëndësinë e respektimit të zotimeve nga Deklarata për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave në Politikë dhe Jetë Publike.
Sipas misionit, krijimi i një mjedisi të sigurt dhe gjithëpërfshirës është thelbësor që gratë të marrin pjesë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë në proceset zgjedhore dhe politike.
“Misioni nënvizon nevojën që këto zotime të përkthehen në sjellje konkrete gjatë gjithë fushatës dhe më tej”- thuhet në reagim.
Udhëheqësit fetarë në Kosovë kanë bërë thirrje për respekt, përgjegjësi dhe refuzim të gjuhës së urrejtjes gjatë periudhës zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 07.06.2026, përmes një deklarate të përbashkët të nënshkruar nga përfaqësues të bashkësive kryesore fetare në vend.
Në deklaratë, përfaqësuesit e Bashkësisë Islame, Kishës Ortodokse Serbe, Kishës Katolike, Kishës Protestante Ungjillore dhe Bashkësisë Hebraike riafirmojnë përkushtimin për paqen, dinjitetin njerëzor dhe respektin ndërmjet qytetarëve.
Ata u kanë bërë thirrje partive politike, institucioneve dhe qytetarëve që të përdorin gjuhë të matur dhe të shmangin fyerjet, poshtërimin dhe sulmet personale në debatin publik.
“Si udhëheqës fetarë, ne flasim me një zë për këtë: fjalët kanë rëndësi. Ato formësojnë sjelljen. Ato ndajnë ose bashkojnë. I bëjmë thirrje të gjithëve në jetën publike të zgjedhin respektin, të vërtetën dhe përgjegjësinë”- thuhet në deklaratën e përbashkët më 29.05.2026, ku në foto me përfaqësuesit fetarë shihet ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves.
Udhëheqësit fetarë kanë kërkuar gjithashtu “tolerancë zero” ndaj gjuhës seksiste dhe mizogjene, duke bërë thirrje për respekt dhe pjesëmarrje të barabartë të grave dhe vajzave në jetën publike.
Në deklaratë kërkohet edhe refuzimi i gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve dhe nxitjes së dhunës, si dhe respektimi i diversitetit etnik, fetar dhe social në Kosovë.
Po ashtu, ata kanë bërë thirrje për ndershmëri dhe saktësi në komunikimin publik, duke kundërshtuar dezinformimin dhe manipulimin, si dhe për sjellje etike në media dhe në rrjetet sociale.
Sipas deklaratës, të gjithë liderët dhe qytetarët duhet të respektojnë këto parime gjatë gjithë periudhës zgjedhore dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e “strukturës demokratike dhe shoqërore të Kosovës”.
Deklarata e Përbashkët e plotë nga Udhëheqësit Fetarë në Kosovë:
Ne, udhëheqësit fetarë të Kosovës – Bashkësia Islame, Kisha Ortodokse Serbe, Kisha Katolike, Kisha Protestante Ungjillore dhe Bashkësia Hebraike – që përfaqësojmë bashkësi të ndryshme fetare, riafirmojmë përkushtimin tonë të përbashkët për paqen, dinjitetin njerëzor dhe respektin ndërmjet të gjithë njerëzve. Ne e njohim rëndësinë e vlerave demokratike dhe nevojën për një klimë publike të përgjegjshme, veçanërisht gjatë periudhave zgjedhore. Ne u bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë, institucionevedhe qytetarëve që të respektojnë parimet në vijim:
- Gjuha e respektit dhe dinjitetit
Kërkojmë përdorimin e një gjuhe të respektueshme dhe të matur në debatin publik; ndalimin e fyerjeve, poshtërimit dhe sulmeve personale ndaj të tjerëve; si dhe një kulturë dialogu të bazuar në dinjitet dhe respekt të ndërsjellë.
- Respekti për gratë dhe vajzat
Kërkojmë tolerancë zero ndaj gjuhës seksiste ose mizogjene; refuzim të stereotipeve të dëmshme dhe sulmeve të bazuara në gjini; si dhe respekt të barabartë, zë dhe pjesëmarrje për gratë dhe vajzat në jetën publike.
- Refuzimi i gjuhës së urrejtjes dhe nxitjes
Kërkojmë mos përdorimin e gjuhës së urrejtjes, kërcënimeve apo nxitjes së dhunës; respekt për diversitetin etnik, fetar dhe social; si dhe përpjekje aktive për të mbrojtur paqen shoqërore dhe besimin ndërmjet komuniteteve.
- E vërteta dhe integriteti në jetën publike
Kërkojmë ndershmëri dhe saktësi në komunikimin publik; refuzim të dezinformimit dhe manipulimit; si dhe respekt për ligjin dhe standardet demokratike.
- Komunikim i përgjegjshëm
Kërkojmë sjellje etike në media dhe në platformat sociale; ndalimin e abuzimit online, bullizmit dhe gjuhës poshtëruese; si dhe udhëheqje që vendos një ton të qetë dhetë përgjegjshëm.
- Përgjegjësi e përbashkët
U bëjmë thirrje të gjithë liderëve dhe qytetarëve të respektojnë këto parime gjatë gjithë periudhës zgjedhore; të udhëheqin të tjerët përmes shembullit; dhe të punojnë së bashku për të mbrojtur strukturën demokratike dhe shoqërore të Kosovës. Si udhëheqës fetarë, ne flasim me një zë për këtë: fjalët kanë rëndësi. Ato formësojnë sjelljen. Ato ndajnë ose bashkojnë. I bëjmë thirrje të gjithëve në jetën publike të zgjedhin respektin, të vërtetën dhe përgjegjësinë.