Osmani dekoron post mortem pesë ushtarakë të brigadës së UÇK-së 'Agim Ramadani'

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në prag të përvjetorit të Betejës së Koshares, ka dekoruar post mortem me Medalje Presidenciale pesë ushtarakë të Brigadës së UÇK-së 138 “Agim Ramadani”.

“Presidentja Osmani, për trimërinë e dëshmuar gjatë Betejës së Koshares dhe kontributin pas luftës, ka dekoruar ushtarakët: Adem Dahri, Afrim Beka, Arben Sejdiu, Faik Gashi dhe Skënder Rexhëahmetaj”, thuhet në komunikatë.

Sipas komunikatës, dekoratat iu ndanë familjarëve të luftëtarëve në praninë e komandantëve të Brigadës 138.

Osmani ka theksuar se liria e Kosovës mbanë emrin e secilit prej tyre.

“Ndihem e nderuar që në këtë përvjetor të lavdishëm si presidente dekoroj me medalje pesë luftëtarë të shquar të Brigadës “Agim Ramadani”. Kontributi dhe sakrifica e tyre do të jenë udhërrëfyes për brezat dhe  tregues i vlerës së lirisë që e gëzojmë”, ka thënë ajo.

Ndërsa, familjarët kanë falënderuar Presidenten Osmani dhe kanë thënë se kjo dekoratë ka vlerë të veçantë në këtë përvjetor të Betejës së Koshares, thuhet në komunikatë.

Foto: Presidenca e Kosovës