Ilustrim

OKB: Çdo 24 orë, 11 fëmijë u vranë ose u plagosën në Liban

Njëmbëdhjetë fëmijë janë vrarë ose plagosur mesatarisht çdo 24 orë në Liban gjatë javës së kaluar, ka bërë të ditur të premten (29.05.2026) agjencia e OKB-së për fëmijët, ndërsa Izraeli ka zgjeruar sulmet në mbarë vendin pavarësisht armëpushimit, raporton Reuters.

Sulme të rënda izraelite goditën qytete e fshatra në Libanin jugor gjatë natës së të mërkurës dhe të enjten, pasi Izraeli e shpalli zonë luftimi një pjesë tjetër të zonës. Ushtria izraelite sulmoi njashtu të enjten një ndërtesë në periferinë jugore të Bejrutit.

Një shifër totale prej 77 fëmijësh janë vrarë ose plagosur në shtatë ditët e fundit, ka njoftuar UNICEF-i, duke cituar shifrat e ofruara nga Ministria e Shëndetit Publik të Libanit. Që nga fillimi i armëpushimit më 16 prill, 55 fëmijë janë vrarë dhe 212 janë plagosur, sipas agjencisë.

Zëdhënësi i UNICEF-it, Ricardo Pires, u ka bërë thirrje të gjitha palëve që ta respektojnë plotësisht armëpushimin.

“Sipas së drejtës ndërkombëtare humanitare, fëmijët dhe infrastruktura civile duhet të mbrohen” – ka thënë ai.

Armëpushimi i shpallur nga Uashingtoni kishte synim t’i ndalonte luftimet që kanë shpërthyer ndërmjet trupave izraelite dhe “Hezbollahut” të mbështetur nga Irani që nga 2 marsi.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e OKB-së ka njoftuar njashtu të premten se kërcënimi nga zgjerimi i aktiviteteve ushtarake ka ngritur shqetësime të mëdha shëndetësore për popullsinë libaneze.

Që nga fuqizimi i armëpushimit, janë raportuar gjithsej 27 sulme ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor në Liban, duke rezultuar në 25 vdekje dhe 42 të plagosur, sipas OBSH-së. Një total prej 16 spitalesh dhe 13 qendrash të kujdesit shëndetësor parësor janë dëmtuar në sulme.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com