OBSH thotë se gati 90% e fëmijëve nën moshën 2 vjeç po përjetojnë varfëri të rëndë ushqimore në Gaza

Organizata Botërore e Shëndetësisë deklaroi se kufizimet në dërgimin e ndihmave kanë bërë që gati 90% e fëmijëve nën moshën 2 vjeç të përjetojnë varfëri të rëndë ushqimore, me nivelet e kequshqyerjes së fëmijëve në Gazën veriore që janë veçanërisht të tmerrshme.

Agjencia kryesore e ndihmës e OKB-së në Rripin e Gazës është e pasigurt nëse do të jetë në gjendje ta kompensojë stafin e saj për të shpërndarë ushqime në Gaza, pasi shumë vende i kanë ndaluar fondet kur disa nga punonjësit e agjencisë u akuzuan për përfshirje në sulmin e Hamasit të 7 tetorit 2023.

Të martën (05.03.2024), SHBA, në bashkëpunim me Jordaninë, kanë ndërmarrë një tjetër lëshim me ajër në enklavë. Pentagoni përmendi se SHBA dhe partnerët e saj ndërkombëtarë po mendojnë gjithashtu një korridor detar për të ofruar ndihmë në Gaza. Megjithatë, aleati i SHBA-së, Izraeli, vazhdon të pengojë shumicën e dërgesave të ndihmave në Rripin e Gazës.

Ndërkohë, banorët e Gazës po përballen me një kërcënim të rëndë nga uria, me dëshmitarë okularë që i thanë CNN se forcat izraelite qëlluan mbi njerëzit që prisnin ndihmë në Gazën veriore të hënën mbrëma.

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara e akuzuar Izraelin të martën (05.03.2024) se qëllimisht e ka vendosur urinë mbi popullin palestinez në Gaza.

Hamasi deklaroi të martën se nuk do të ketë “shkëmbim të të burgosurve” nëse nuk ka një armëpushim të përhershëm në Gaza, tërheqje të trupave izraelite dhe hyrje të ndihmës në Rrip. Një udhëheqës i lartë i Hamasit e akuzoi gjithashtu Izraelin se po e vonon arritjen e një marrëveshjeje. Negociatorët janë takuar në Kajro që nga e diela për bisedime mbi një marrëveshje, por Izraeli nuk e ka dërguar një delegacion, tha një zyrtar izraelit për CNN.

Presidenti amerikan Joe Biden deklaroi se një armëpushim i mundshëm “është në duart e Hamasit”. Ai e përshkroi marrëveshjen në tavolinë si një “ofertë racionale” dhe tha se izraelitët kishin rënë dakord për të.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha gjithashtu të martën (05.03.2024) se “është në dorë të Hamasit” të pranojë një “armëpushim të menjëhershëm” në Gaza. Blinken, së bashku me këshilltarin e sigurisë kombëtare të SHBA, Jake Sullivan, u takua gjithashtu me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani të martën.

Administrata Biden është përpjekur të sigurojë një armëpushim përpara Ramazanit, i cili pritet të fillojë më 10 mars 2023. Biden vuri në dukje të martën (05.03.2024) se pa një marrëveshje deri atëherë, situata në Izrael – veçanërisht në Jerusalem – do të ishte “shumë, shumë e rrezikshme”.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza raportoi të martën (05.03.2024) se 364 punonjës shëndetësorë janë vrarë që nga 7 tetori i vitit 2023. Ministria deklaroi gjithashtu se 269 personel mjekësor janë arrestuar.

Sipas raportit të ministrisë së shëndetësisë, 155 objekte shëndetësore janë shkatërruar, ndërsa 155 ambulanca janë shenjëstruar që nga 7 tetori.

UNICEF raportoi të martën se një numër i madh i njerëzve të zhvendosur në zonat në të gjithë Rripin e Gazës po shkaktojnë “kushte jashtëzakonisht sfiduese të higjienës dhe pastërtisë”.

“Mesatarisht, 340 individë e ndajnë një tualet, dhe 1,290 persona ndajnë një dush, siç vlerësohet nga grupi WASH”- thuhet në raport.

Jamie McGoldrick, koordinatori humanitar për territorin palestinez të pushtuar, deklaroi gjatë vizitës së tij dyditore në Gaza se “Komuniteti humanitar në Gaza vazhdon të ofrojë ushqim dhe kujdes shëndetësor në të gjithë Rripin e Gazës, pavarësisht luftimeve të vazhdueshme dhe sfidave të tjera të mëdha”.

Ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve për të ofruar ndihmë, sulmet ajrore dhe luftimet e vazhdueshme në Gaza “vazhdojnë të pengojnë operacionet humanitare të sigurta dhe efikase./CNN

Përgatiti: Nuhi Shala