Mbledhja e Komisionit për Arsim, 16.04.2024

Nxënësit pritet të aplikojnë online për t’u sistemuar në provimin e Maturës

Me shtatë vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim në Komisionin parlamentar për arsim është votuar për procedimin e Projektligjit pёr Provimin e Maturës Shtetërore për lexim të parë në seancën plenare të radhës të Kuvendit të Kosovës. 

Të pranishëm në mbledhjen e mbajtur më 16.04.2024, ishin ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, kryetari i Komisionit parlamentar, Ardian Gola, dhe anëtarët e Komisionit: Arijeta Rexhepi, Adriana Matoshi, Arjeta Fejza, Vlora Dumoshi, Jahja Kokaj dhe Albena Reshitaj.

Me këtë projektligj janë paraparë disa ndryshime për të cilat ka njoftuar vet ministrja Nagavci.

Ajo shpjegoi se janë duke punuar për t’i sistemuar nxënësit që do t’i nënshtrohen provimit të Maturës, në mënyrë që ata të aplikojnë online dhe rezultatet e provimit të mund të printohen në formë certifikate.

Projektligji për Maturën Shtetërore ishte miratuar në mbledhjen e 198-të të Qeverisë së Kosovës, më 02.04.2024.

Sipas vendimit të Qeverisë, ky projektligj ka për qëllim përcaktimin e statusit të provimit të Maturës shtetërore në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës; përcaktimin e përmbajtjes, kushteve dhe mënyrës së organizimit të provimit të Maturës shtetërore dhe të drejtat e kandidatëve; si dhe përcaktimin e strukturave përgjegjëse dhe kompetencat e tyre për organizimin e provimit të Maturës shtetërore. 

Projektligj po ashtu ka rëndësi të madhe në ngritjen e një procesi të drejtë e të sigurt për vlerësimin objektiv të arritjeve të maturantëve.

Përcaktimi i statutit dhe të strukturave përgjegjëse, riformulimi dhe plotësimi i statusit të provimit të maturës, ndryshimi dhe fuqizimi i përbërjes së Komisionit Shtetëror të Maturës me anëtarë profesional, rregullimi i procesit të kundravajtjeve dhe shkeljeve disiplinore në përputhje me legjislacionin përkatës adekuat në fuqi, janë ndryshimet në Projektligj, të cilat i ka përmendur ministrja Nagavci.

Anëtari i Komisionit të Arsimit, Jahja Kokaj ka konstatuar që meriton të aprovohet ky Projektligj, mirëpo sipas tij, me shpresë që të rritet vigjilenca në rast se kopjohet nga nxënësit.

“Ligji është shumë në rregull, por shpresoj që edhe në realizimin praktik të tij do të bëhet e mundur të rritet vigjilenca dhe me kredibilitet të arrihet rezultati i tij” – tha Kokaj.

Kurse, anëtarja tjetër e Komisonit, Arijeta Rexhepi e ka pyetur ministren Nagavci se si e rregullon Projektligji mundësinë e moskopijimit të testit dhe përmbajtjen e pyetjeve për shkollat profesionale. 

Rexhepi ka propozuar që në të ardhmen provimi i Maturës të bëhet në formë digjitale.

“Unë kisha pas shumë dëshirë që të mendojmë që në të ardhmen provimi i Maturës të jetë në formë digjitale, t’i hjekim këto mundësitë e kopjimit e manipulimit” – ka propozuar Rexhepi.

Nagavci i ka thënë Rexhepit se janë duke realizuar një digjitalizim të pjesshëm në testin e Maturës, duke i regjistruar online nxënësit të cilët do t’i nënshtrohen testit të Maturës dhe më pas do t’i sistemojnë në klasë të ndryshme.

“Ajo që po synojmë të bëjmë në provimin e radhës e që nuk i përfshin edhe ndryshimet që janë adresuar në ligj është që kemi filluar pjesërisht digjitalizimin në aspektin e aplikimit online të sistemit të nxënësve dhe për mënyrën se si ata do të vendosen në klasa d.m.th nuk do të jenë të gjithë nxënësit e së njëjtës klasë në një klasë, por do të kemi nxënës të cilët do të shpërndahen në klasa të ndryshme që të mos lejohet të kopjojnë njëri-tjetrin” – ka treguar Nagavci.

Në këtë rast, Nagavci ka përmendur se një projekt i filluar në vitin 2013 për digjitalizimin e arsimit ka përfunduar formalisht, porse nuk ka asgjë konkrete në aspektin  e arritjes së këtij qëllimi.

Përveç regjistrimit online të nxënësve, Nagavci ka përmendur edhe certifikimin e rezultateve të nxënësve të cilat do të mund të printohen.

“Po synojmë që rezultatet të bëhen në mënyrë publike, gjegjësisht me printim të certifikatës për maturantët dhe këto janë procese që i kemi fillu e po besoj do t’i finalizojmë në kohën e duhur sepse janë pothuajse në përfundim të punës nga grupi punues” – ka shtuar Nagavci.

Kurse, sa i përket pyetjeve në testin e Maturës për shkollat profesionale, ministrja Nagavci tha se janë duke adresuar në Ligjin për Arsimin, Aftësimin profesional, i cili pritet të votohet në Kuvend.

“Aty përcaktohen saktësisht edhe këto përqindjet, edhe çështjet që ndërlidhen me lëndet profesionale. Por, në disa raste p.sh te Matematika e të tjera, edhe me legjislacionin adekuat kemi ndërhyrë edhe jemi munduar që të mos ketë as lëshime teknike, por as gabime çfare janë hasë në të kaluarën sa i përket përpilimit të pyetjeve. Sfida më e madhe vazhdon të mbetet menaxhimi i suksesshëm, pamundësimi i kopjimit gjatë procesit të Maturës” – tha Nagavci.

Për kryetarin e Komisionit të Arsimit, Ardian Gola, ky është një ligj i rëndësishëm por pika që duhet rimenduar është rishpërndarja e përqindjes së vlerësimeve të nxënësve nga testi i Maturës dhe ai pranues në fakultet, për t’u sistemuar në Arsimin e Lartë.

“Komplet suksesi (në testin e maturës) është 30% dhe 40% është testi pranues (në fakultet). Mendoj që këtu është gjeneza e njërit prej problemeve kyqe që është sistemi i nxënësve i gabuar në sistemin e Arsimit të Lartë. Studentët janë gabimisht madje edhe nga ambiciet që mund të kenë duke u futur në sistem pa pasur përgatitjet paraprake, përgatitje të cilat marrin formë të vlerësimit përmes përqindjeve dhe nëse këtu kishim mund me ba një shpërndarje të mirë, besoj që kishim mund me arrit një problem kogja të madh” – ka thënë Gola.

Sipas Ligjit për provimin e Maturës Shetërore, në nenin 1, ku flitet për Obligimet e Institucioneve të Arsimit të Lartë thuhet “Institucionet e Arsimit të Lartë, janë të obliguara që t’i pranojnë rezultatet e arritura të kandidatëve gjatë viteve të shkollimit të mesëm të lartë dhe rezultatet e provimit të maturës shtetërore”.

Kurse, në nenin 2, thuhet se – Institucionet e Arsimit të Lartë publik dhe privat nuk kanë të drejtë të regjistrojnë studentë pa provim të maturës shtetërore.

Dhe në nenin 3 flitet për përqindjet e vlërsimit nga provimi i Maturës dhe testi pranues në fakultet, që ka përmendur Gola.

“Pranimi i studentëve do të bëhet në bazë të rezultateve të arritura: tridhjetë përqind (30%) gjatë shkollimit të mesëm të lartë, tridhjetë përqind (30%) në provimin e maturës shtetërore dhe katërdhjetë përqind (40%) në vlerësimin e brendshëm të njësive akademike” – thuhet në nenin 3, të Ligjit të Maturës.

Më tej, Gola ka vlerësuar se kanë pasur përvoja shumë të trishta të abuzimit me këtë test, mirëpo ka thënë se duhet vazhduar edhe me këtë metodë që për mendimin e tij është e “dalur mode” me testet pranuese të fakulteteve, e që  duket se është më efektivja.

Por, ministrja Nagavci nuk e mendon ndarjen e përqindjeve nga testi i Maturës dhe ai i fakultetit si diçka problematike. Sipas saj, problematike është menaxhimi i testimit.

“Unë besoj që nuk ka të bëj me përqindjen si të tillë, por ka të bëj me menaxhimin e testit, gjegjësisht mungesën e përgjegjësisë edhe të llogaridhënies të personave të cilët ju besohet kjo detyrë shumë e rëndësishme” – është përgjigjur Nagavci.