Nis takimi i Vjosa Osmanit me komisionerin e BE-së

Ka filluar takimi në Presidencën e Republikës së Kosovës mes Vjosa Osmani dhe Komisionerit të Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikën e Fqinjësisë, Olivér Várhelyi.

Takimi pritet të jetë i mbyllur për media, mirëpo pas tij pritet të ketë deklaratë të përbashkët.

Varhelyi më pas do ta takoj edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Sipas njoftimit të Komisionit Evropian këto takime do të ofrojnë mundësinë për të shqyrtuar raportet mes Kosovës dhe BE-së dhe për të diskutuar për zhvillimet e fundit si dhe reformat kyçe, përfshirë ato në fushën e drejtësisë, tranzicionit të energjisë dhe luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Sikurse për të gjitha shtetet që janë në procesin e zgjerimit të BE-së, ashtu edhe për Kosovën sundimi i ligjit, reformat në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit janë identifikuar si fushat kryesore që do të merren parasysh nga BE-ja në vlerësimin e gatishmërisë së këtyre shteteve për përparim drejt integrimit evropian.

Më 15 dhjetor të vitit 2022, Kosova ka dorëzuar aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Vjosa Osmani dhe Olivér Várhelyi.