Nënshkruhet marrëveshja për transformimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku dhe kryeshefja e ndërmarrjes publike “Pallati i Rinisë”, Mrika Gashi, kanë nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit për rinovimin e tërësishëm të Pallatit të Rinisë në kryeqytet.

Lajmi është bërë i ditur nga ministri Çeku, më 08.04.2024. Sipas tij, në planin e investimeve parashihen ndërhyrjet për rinovim dhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit (salla universale), hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, Sallës së Kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, pllatosë dhe parkingut nën-tokësor.

“Pas rinovimit të dy hapësirave të rëndësishme, palestrës së sportit dhe amfiteatrit të TKK-së, vazhdojmë me projektin tonë ambicioz të transformimit të tërësishëm të Pallatit të Rinisë në shërbim të artistëve, sportistëve e të rinjve tanë dhe në përgatitje me dinamikë të lartë për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030” – thuhet në njoftimin e Çekut në rrjetin social “Facebook”.

Kosova do të jetë nikoqire e Lojërave Mesdhetare më 2030.

Vendimi është marrë në shtator 2023 nga Asambleja e Përgjithshme e Komitetit Ndërkombëtar të Lojërave Mesdhetare (ICMG) në një takim të mbajtur në Heraklion të Greqisë.

Lojërat Mesdhetare organizohen çdo katër vjet dhe për vendet e pellgut të Mesdheut përbëjnë ngjarjen më të rëndësishme shumësportive, pas Lojërave Olimpike.

Në kuadër të këtij organizimi mbahen gara në më shumë se 25 disiplina.

Në to marrin pjesë atletë nga vendet e Afrikës, Azisë dhe Evropës me qasje në rajonin e Mesdheut.

Vitin e kaluar nikoqir i këtij organizimi ka qenë Orani i Algjerisë.