Kuvendi i Kosovës, 12.02.2026 - Foto: KALLXO.com
Në buxhetin e vitit 2026 përfshihen edhe buxhetet e Prishtinës dhe Shtimes
Buxheti i shtetit për vitin 2026, i miratuar në lexim të dytë sot në Kuvendin e Kosovës, më 20.02.2026, ka përfshirë edhe ndarjet buxhetore për Komunën e Prishtinës dhe Komunën e Shtimes, të cilat ende nuk e kishin buxhetin e miratuar në parlament.
Me gjithsej, 62 vota për, 36 kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi ka miratuar buxhetin e Kosovës për vitin 2026, cili është paraparë të jetë 4 miliardë euro.
Ndërkaq, amendamentet që u miratuan ishin vetëm ato që kishin mbështetjen e Komisionit Funksional për Buxhet, ndërsa propozimet që nuk gëzonin përkrahjen e këtij komisioni nuk morën votat e nevojshme.
Ky buxhet e përmban edhe pagën e 13-të për punëtorët e sektorit publik që paguhen nga buxheti, pagë e cila do t’u paguhet sa po të hyjë në fuqi Ligji i Buxhetit, kishte deklaruar Kurti ditë më parë gjatë mbledhjes së Qeverisë.
Buxheti 2026, sipas kryeministrit Albin Kurti përmban edhe rritjen e shtesës për përvojën e punës nga 0.25 % në 0.50 %, për 15 vitet e para.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka theksuar në seancën plenare ky është një buxhet i përkohshëm emergjent dhe se procesi është i shpejtë për të garantuar funksionimin e institucioneve.
Miratimin e këtij buxheti nuk e mbështetën partitë opozitare, si PDK, LDK, AAK si dhe Lista Serbe me arsyetimin se nuk u përfillën amandamentimet e tyre të propozuara, madje PDK në fillim të seancës tërhoqi të gjitha amandamentet e saja.
Përfshirja e buxhetit për Prishtinën erdhi pas një periudhe tensionesh institucionale, pasi vetë kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, pati përplasje të vazhdueshme me ministra të kabinetit të Kurtit lidhur me çështjen e buxhetit të kësaj komune.
Javën e kaluar, Rama kishte deklaruar se buxheti i miratuar për vitin 2026 në Kuvendin Komunal nuk është përfshirë në projektligjin për ndarjet buxhetore, i cili ndodhej në procedurë parlamentare në Kuvend.
Ai këtë e quajti ‘cenim të rendit kushtetues’, madje paralajmëroi edhe dërgimin e këtij ligji në Gjykatën Kushtetuese.
Asambleja e Prishtinës arriti që të miratojë buxhetin për vitin 2026 më 06.02.2026, përmes një seance të jashtëzakonshme.