Ilustrim

Natë tragjike në Kosovë, 5 të vdekur në 3 aksidente komunikacioni

Nata e sotme në Kosovë ishte tragjike, pasi në tre raste të ndryshme të aksidenteve në komunikacion, pesë persona kanë vdekur si pasojë e lëndimeve.

Në fshatin Ozdrim të Pejës dy këmbësorë mbeten të vdekur, pasi dyshohet se janë goditur nga vetura. Ngjarja ka ndodhur  rreth orës 21:30.

Sipas Policisë, në këtë aksident mbeti i lënduar një person i cili ka marrë trajtim mjekësor në spitalin rajonal në Pejë. Ndërsa personi që dyshohet se e ka shkaktuar aksidentin ndodhet në Stacionin Policor në Pejë, duke u intervistuar.

Ndërsa, rreth orës  20:30 dy persona kanë vdekur, si pasojë e një vetaksidenti në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti njoftoi se një person mbeti i lënduar në këtë aksident.

Një tjetër aksident trafiku ka ndodhur në rrugën Llapnasellë -Graqanicë sot rreth orës 16:30. Si pasojë e këtij aksidenti një person mbeti i vdekur dhe një tjetër ka pësuar lëndime trupore.