Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Muriqi: Pamë policë izraelitë në Aeroportin e Prishtinës, nuk po luftojmë po luajmë futboll

Sulmuesi kryesor i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka thënë se në Aeroportin e Kosovës gjatë kohës sa ateruan dhe hynë në kontrollerët panë që ishin edhe policë të Izraelit.

Ai ngriti këtë shqetësim gjatë një interviste që ka dhënë për njërën nga televizionet në Kosovë deri sa foli për ndeshjen e cila do të zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

“Ka ardhë me lujt edhe Mali i Zi edhe Rumania dhe nuk kanë pas kurrë problem, s’kanë pru policët e vet, po vijnë me lujt futboll, unë nuk e di pse kaq po tutën, apo për diçka tjetër, por besoj se nuk është ndonjë presion për ne. Parameno në aeroportin tonë të Kosovës ka pasur edhe policë të Izraelit që kanë ardhur special me na kontrollu, kjo është…”- u shpreh Muriqi.

Ai shtoi se janë duke zhvilluar një lojë futbolli e jo një luftë.

“Na po shkojmë për sport, s’po shkojmë me luftu ose kurrgjë, unë jam gjithnjë kundër politikës brenda futbollit e fatkeqësisht po ndodh”- shton tutje Muriqi.

Policia e Kosovës gjatë ditëve të fundit ka njoftuar disa herë se ka bërë të gjitha përgatitjet për të ofruar rend dhe siguri në ndeshjen e cila do të zhvillohet gjatë ditës së diele në stadiumin në kryeqytet mes Kosovës dhe Izraelit.

Në njoftim Policia e Kosovës ka treguar edhe se tifozët apo qytetarët që do të shikojnë këtë ndeshje në stadium nuk u lejohet të posedojnë disa mjete e gjëra.

Duke nisur nga mjetet piroteknike, policia ka thënë se gjërat e palejuara janë edhe shihet e qelqit pavarësisht madhësisë, ato të plastikës, pijet alkoolike dhe substanca narkotike, ushqime të llojeve të ndryshme, ombrella, armë zjarri, armë të ftohta apo çdo mjet tjetër që mund të përdoret si armë.

Në mesin e gjërave që nuk lejohen që të futen brenda stadiumit janë edhe çantat e shpinës e karriget të cilat palosen, kamerat profesionale dhe video kamerat si dhe çdo material tjetër që përmban thirrje raciste, ksenofobike, politike apo fetare.

“Përmes bashkëpunimit dhe koordinimit të ngushtë në mes të Policisë së Kosovës, Federatës së Futbollit të Kosovës dhe akterëve tjerë, është paraparë ndërmarrja e këtyre masave të nevojshme, me qëllim të menaxhimit dhe mbarëvajtjes sa më të mirë të kësaj ndeshje sportive, e cila është interes nacional për vendin dhe sportin”- thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Nesër me datë 12.11.2023 në orën 20:45, në stadiumin e qytetit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të zhvillohet ndeshja kualifikuese në kuadër të UEFA-s për kualifikime EURO2024, në mes të kombëtares së Kosovës dhe Izraelit.

Në orët e mbrëmjes së sotme janë parë edhe njësite të ndryshme të Policisë së Kosovës të cilët kanë kontrolluar cdo cep të stadiumit në mënyrë që gjithçka të zhvillohet pa incidente.