Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Deklarata e futbollistit Muriqi, FFK: Është keqkuptuar

Federata e Futbollit e Kosovës ka deklaruar se prononcimi i futbollistit Vedat Muriqi në lidhje me kontrollin policor në aeroportin e Prishtinës është keqkuptuar.

Sipas komunikatës së lëshur nga FFK, futbollisti Muriqi i është referuar kontrollit të nënshtuar në muajin mars, para udhëtimit të ekipit kombëtar të Kosovës për në Tel Aviv dhe “e ka ndërlidhur atë rast me nivelin e sigurisë për ndeshjen e 12 nëntorit”.

“Përndryshe Federata e Futbollit e Kosovës është falënderuese për bashkëpunimin e madh të ofruar nga Policia e Kosovës dhe organet tjera shtetërore në lidhje me aspektin e sigurisë për organzimin e ndeshjes ndaj Izraelit”-thuhet në reagimin e Federates.

Të shtunën, sulmuesi kryesor i kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi ka thënë se në Aeroportin e Kosovës gjatë kohës sa ateruan dhe hynë në kontrollerët panë që ishin edhe policë të Izraelit.

Ai ngriti këtë shqetësim gjatë një interviste që ka dhënë për njërën nga televizionet në Kosovë deri sa foli për ndeshjen e cila do të zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në kryeqytet.

“Ka ardhë me lujt edhe Mali i Zi edhe Rumania dhe nuk kanë pas kurrë problem, s’kanë pru policët e vet, po vijnë me lujt futboll, unë nuk e di pse kaq po tutën, apo për diçka tjetër, por besoj se nuk është ndonjë presion për ne. Parameno në aeroportin tonë të Kosovës ka pasur edhe policë të Izraelit që kanë ardhur special me na kontrollu, kjo është…”- u shpreh Muriqi.

Sonte në orën 20:45, në stadiumin e qytetit “Fadil Vokrri” në Prishtinë, do të zhvillohet ndeshja kualifikuese në kuadër të UEFA-s për kualifikime EURO2024, në mes të kombëtares së Kosovës dhe Izraelit.