Lojtarët e kombëtares së Kosovës vizitojnë fëmijët që po trajtohen në QKUK

Futbollistët e kombëtares së Kosovës, Samir Ujkani, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani dhe Milot Rashica, një pjesë të ditës së tyre sot e kaluan në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Aty ata vizituan fëmijët të cilët janë duke u trajtuar në Repartin e Hemato-Onkologjisë.

Vizita e tyre u bë nën shoqërimin e ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së përgjithshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Univeristar të Kosovës, Pranvera Zejnullahu-Raçi.

Me futbollistët ishte edhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

“Samir Ujkani, Vedat Muriqi, Amir Rrahmani dhe Milot Rashica, me mesazhe plot inkurajim dhe me urimet për shërim sa më të shpejtë, iu kanë dhënë dhurata fëmijëve, derisa kanë premtuar që do të vijnë më shpesh për të qëndruar me ta dhe afër tyre” – është thënë në njoftimin e SHSKUK-së.

Sipas njoftimit, këtë vizitë drejtoresha Zejnullahu-Raçi e ka vlerësuar lart dhe i ka falënderuar secilin për kohën që ia kushtuan fëmijëve.

Ndërsa kryetari i FFK-së e ka uruar stafin e Pediatrisë për punën dhe fëmijëve të sëmurë u ka uruar shërim të shpejtë.

Kryetari Ademi ka shprehur dëshirën që një ditë këta fëmijë do ta kenë mundësinë që t’i përcjellin ndeshjet nga stadiumi dhe ka shpresuar që në të ardhmen të ketë nga fëmijët të cilët edhe do të mund luajnë për kombëtaren e Kosovës.